Britania pezullon disa eksporte armësh në Izrael

BOTA


Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se po pezullon disa licenca eksporti për pajisje ushtarake në Izrael. Sekretari i Jashtëm britanik David Lammy tha se bëhet fjalë për 30 nga afërsisht 350 eksporte.

Lammy tha se ekziston një “rrezik i qartë” që disa eksporte të Mbretërisë së Bashkuar në Izrael mund të përdoren për të kryer një “shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar” në Gaza.

“Përballë një konflikti si ky, është detyrë ligjore e kësaj qeverie të rishikojë licencat e eksportit të Britanisë. Ky nuk është një ndalim i përgjithshëm, nuk është një embargo armësh ”, theksoi ai, duke shtuar se “Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbështesë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje , në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

Ai shtoi se eksportet përfshijnë pajisje të destinuara për përdorim në luftën në Gaza, të tilla si komponentë për avionë ushtarakë, helikopterë dhe drone dhe sende që “lehtësojnë shënjestrimin tokësor”.

Ai tha se veprimet e Izraelit në Gaza “vazhdojnë të çojnë në humbje të jashtëzakonshme të jetës civile, shkatërrim të gjerë të infrastrukturës civile dhe vuajtje të jashtëzakonshme”.

Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se të paktën 40,786 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori – shifra të diskutueshme nga Izraeli./abcnews.al



Skip to toolbar