Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiç – për sulmin e armatosur në Banjskë.
Të përfshirët, sipas prokurorit të rastit, Naim Abazi, kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal – “duke filuar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave”.
“Në mesin e të akuzuarve kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Millan Radoiçiç, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, tha Abazi në një konferencë për media, të mbajtur të mërkurën në Prishtinë.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, në këtë fshat të Zveçanit – pjesa veriore e Kosovës – grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Autoritetet në Kosovë fajësuan udhëheqjen e shtetit serb për organizimin e, siç e cilësuan, sulmit terrorist, por ajo e mohoi përfshirjen.
Pesë ditë pas ngjarjes, më 29 shtator, përgjegjësinë për të e mori Radoiçiç, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd është duke kryer, po ashtu, hetime për rastin.
Ajo e ngarkon Radoiçiçin me disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Në deklarimin e fundit që bëri për REL-in, më 15 korrik, kjo prokurori tha se hetimet për rastin “janë duke vazhduar”.