Një sulm ajror izraelit ka goditur një shkollë qendrore të Gazës që përdoret si strehë për palestinezët e zhvendosur, duke vrarë 18 persona. Kjo është bërë e ditur për mediat nga agjencia e mbrojtjes civile e territorit të Hamasit, ndërkohë që OKB-ja raporton se gjashtë nga stafi i saj ishin në mesin e viktimave.
Agjencia palestineze e OKB-së për refugjatët, Unrwa, tha se sulmi shkaktoi numrin më të lartë të të vdekurve në mesin e stafit të saj në një incident të vetëm. Dy sulme ajrore goditën shkollën dhe rrethinat e saj në Nuseirat, tha ajo.
“Midis të vrarëve ishte menaxheri i strehës Unrwa dhe anëtarë të tjerë të ekipit që ofronin ndihmë për njerëzit e zhvendosur,” tha agjencia e OKB-së në X.
Më herët, ushtria izraelite tha se forcat e saj ajrore kishin “kryer një sulm ndaj terroristëve që po vepronin brenda një qendre komandimi dhe kontrolli të Hamasit ” në terrenin e shkollës, pa dhënë detaje mbi rezultatin ose identitetin e atyre që ishin në shënjestër.
Zyra e mediave qeveritare e Hamasit tha se rreth 5,000 njerëz të zhvendosur ishin strehuar në shkollë kur ajo u godit të mërkurën.
Në një deklaratë Unrwa tha se “kjo shkollë është goditur pesë herë që nga fillimi i luftës. Ajo është shtëpia e rreth 12,000 njerëzve të zhvendosur, kryesisht gra dhe fëmijë.”
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres deklaroi të mërkurën se “ajo që po ndodh në Gaza është krejtësisht e papranueshme”.
“Gjashtë nga kolegët tanë të UNRWA janë në mesin e të vrarëve,” tha Guterres në një postim në X.