Veliaj homazhe për 82-vjetorin e Konferencës së Pezës: Të bashkohemi për Shqipërinë Europiane

AKTUALITET


Në 82-vjetorin e Konferencës së Pezës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë sot në homazhet në Varrezat e Dëshmorëve, për të kujtuar këtë ngjarje historike për popullin shqiptar dhe risjellë në vëmendje simbolikën e kësaj dite të shënuar. Ai ishte i pranishëm edhe në ceremoninë zyrtare, në të cilën theksoi se kur shqiptarët bëhen bashkë mund të bëjnë gjëra të mrekullueshme.

“Falenderime për të gjithë ata që u mblodhën bashkë para 82 vitesh me vizionin se kur shqiptarët bëhen bashkë, bëjnë gjëra të mrekullueshme. Ashtu siç thoshte Konferenca e Pezës, përtej çdo dallimi, përtej çdo krahine, përtej çdo feje, përtej çdo ideje, jemi shqiptarë, jemi bashkë dhe kur bashkëpunojmë ne bëjmë gjëra të mrekullueshme. Jam shumë krenar që, jemi këtu sot së bashku me qytetarët, familjet e dëshmorëve, familjet e veteranëve dhe të gjitha familjet e të rënëve”, tha Veliaj.

Ai shtoi se historia na ka mësuar se e rëndësishme është të bëjmë gjërat e duhura, të drejta dhe të nevojshme, ndërsa u ndal edhe në disa nga investimet thelbësore të Bashkisë Tiranë për zhvillimin e kryeqytetit. “Uinston Çërçill thoshte se është shumë e nevojshme që të bëjmë gjënë e drejtë, gjënë e duhur, por ndonjëherë është akoma më e rëndësishme që të bëjmë atë që është absolutisht e nevojshme. Sot, që të respektojmë të moshuarit, është gjëja e duhur, por që qeveria të fillojë këtë reformë të jashtëzakonshme për të rritur pensionet, është gjëja e nevojshme. Sot t’u gëzohemi fëmijëve të vegjël është gjëja e duhur, por që të ndërtojmë 44 shkolla, nga të cilat 4 vetëm këtu në Pezë, është absolutisht gjëja e nevojshme”, deklaroi kryebashkiaku.

Veliaj tha se pas ceremonisë zyrtare në Varrezat e Dëshmorëve, dita në Pezë do të vijojë me aktivitete për fëmijë e të rritur. Në mesazhin e tij, Veliaj bëri një apel për bashkim, duke lënë pas ndasitë politike kur bëhet fjalë për punë që çojnë përpara zhvillimin e vendit. “Teksa ju ftoj të gjithëve në homazhe, fillimisht aty ku prehet Babë Myslymi, pastaj te varrezat e Pezës, dua t’ju njoftoj se do të kemi një ditë plot aktivitete, për t’ua kushtuar këto gëzime dhe këto ditë bashkimi atyre që luftuan, punuan dhe bashkuan shqiptarët për lirinë! Sot, më shumë se kurrë lipset që të bashkohemi prapë, si para 82 vitesh. Jemi të shpërndarë në disa parti, jemi të shpërndarë në disa bindje, në disa fe, por u takon gjithmonë atyre që qeverisin, atyre janë grupi më i madh, që ta hapin tryezën për të gjithë, që t’i shtrijnë dorën të gjithëve, që të përulen me respekt tek të gjithë”, tha Veliaj.

Ai shtoi se amaneti i Babë Myslymit për ta bërë Shqipërinë “nuse të Europës” është shumë pranë realizimit. “Për sa i përket shumicës e mazhorancës sonë, ne i kemi zemrën, mendjen dhe krahët të hapur për këdo që do të punojë për Shqipërinë evropiane, për vizionin 2030, për Tiranën tonë të mrekullueshme, që ishte para dy vitesh Kryeqyteti Evropian i Rinisë, pastaj Kryeqyteti i Sportit dhe vitin tjetër do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Shpresoj shumë që amanetin e Babë Myslymit, për ta pasur këtë vend një nuse të vërtetë në Evropë, e kemi afruar sadopak pranë këtij vizioni e këtij qëllimi”, përfundoi fjalën e tij kryebashkiaku i Tiranës.



Skip to toolbar