“Brezi i ri ndodhet përpara një sfide të re”, Dragoti: Ligj për internetin? E vështirë, rrjetet sociale janë nevojë komunikimi

Më të fundit


Profesori Edmond Dragoti thotë se brezi i ri ndodhet përpara një sfide të vështirë duke marrë parasysh zhvillimin e internetit dhe rreziqet që sjell. Në një intervistë për emisionin “Real Story” , ai thotë se është e vështirë që interneti dhe përmbajtjet që ofrohen të mund të kontrollohen nëpërmjet një legjislacioni të ri.

“Natyrisht paralajmërimi nuk është një zgjidhje përfundimtare, thjesht një përpjekje sepse shikoni rastin e duhanit. Nuk është ulur përqindja e njerëzve që përdornin duhanin thjesht duke lexuar ato fjalë. Por rrjetet sociale sa kohë janë një nevojë për breza të caktuar ato nuk ndalohen dot. Duhen orientuar të përdoren në kohën dhe rastin e duhur dhe në nivelet e nevojshme. Ajo që dëmton më shumë është përmbajtja e tyre eksplicite, e cila tërheq vëmendjen por në drejtime rreziku, dëmi të mundshëm, sidomos për fëmijët.

Por edhe në aspektin tjetër, rrjetet sociale konsumojnë të gjithë kohën e individit. Koha është një nga gjërat më të rëndësishme në jetën tonë dhe kur ke kontakte të shumta që ndihmojnë në suksesin tënd shoqëror, mungesa e kohës është problemi më i madh.

Dhe si me thënë ato të konsumojnë shumë kohë por nga ana tjetër, një nga dëmet më të mëdha në aspektin e shëndetit mendor, është varësia ndaj tyre. Kjo e bën individin që të injorojë dhe të zhvlerësojë të gjithë mundësitë e tjera për komunikim dhe informacion. Megjithatë, kap elementët informativë më të lehtë, të sipërfaqshëm dhe që spikasin më shumë rrezikun.

Brezi i ri është përpara një sfide të re, një tendence të rëndësishme të zhvillimit. Nuk është një tendencë mode thjesht për të kaluar kohën, por nevojë zhvillimi edhe prania e rrjeteve sociale. Problemi është a i kontrollojmë apo menaxhojmë. Në rast se na dalin nga dora, mundësia për të pasur probleme të shëndetit mendor është e madhe. Legjislacioni është i vështirë në aspektin se rrjetet sociale janë nevojë zhvillimi, janë komunikim. Komunikimi është ai që i jep atij mundësinë që të njohë veten, të njohë të tjerët, të krahasojë veten me të tjerët, të kërkojë të realizohet ndryshe, pra e ngre gradualisht në piramidat më të larta të zhvillimit njerëzor. Dhe duke qenë një nevojë komunikimi, individi ka braktisur komunikimin ballë për ballë sepse kërkon kohë, përpjekje, është i pasigurt në shumë aspekte pavarësisht se është më interesant.”, u shpreh profesori./abcnews.al



Skip to toolbar