Përbërja e re e KE/ Von der Leyen zgjedh sllovenen Marta Kos, komisionere të Zgjerimit

BOTA


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paraqiti të martën përbërjen e re të Komisionit Evropian, e cila do të ketë mandat pesëvjeçar.

Postin e komisionares për zgjerim, ajo ka vendosur t’ia ndajë kandidates nga Sllovenia, Marta Kos.

Por, ajo do të emërohet zyrtarisht vetëm nëse merr mbështetjen e Parlamentit të Sllovenisë dhe të Parlamentit Evropian.

Kos nuk është nominuar formalisht nga vendi i saj. “Çdo anëtar i ekipit tim do të sjellë përvojën dhe perspektivat e veta për Evropën”, shkroi von der Leyen në platformën X.

Kandidatura e Kosit ka shkaktuar kundërthënie në Slloveni, pasi opozita nuk dëshiron ta mbështesë e as të caktojë seancë dëgjimore në Komisionin përkatës parlamentar.

Autoritetet sllovene kanë ndërruar në momentin e fundit kandidatin e tyre, për t’i ndihmuar von der Leyenit të rriste numrin e grave në Komision, pasi ishte më pak se një e treta. Megjithatë, kërkesa e von der Leyenit u pa nga disa si ndërhyrje në sovranitetin e një vendi anëtar të BE-së. Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane të Parlamentit të Sllovenisë, Franc Breznik, i cili vjen nga opozita, ka refuzuar ta vendosë në rend dite konfirmimin e Kosit.

Për pasojë, von der Leyen nuk ka mundur ta propozonte Komisionin e ri më 10 shtator, kur ka qenë e planifikuar, por e ka shtyrë për 17 shtator. Ajo e ka bërë tani këtë propozim, me pritjet që edhe Sllovenia ta përfundojë ndërkohë procedurën e saj.



Skip to toolbar