Ministri Hasani: Të tejkalohet hendeku i konvergjencës mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor

AKTUALITET


Në mëngjesin e punës me Ministrat e Jashtëm të grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi angazhimin e Shqipërisë për reformat, përafrimin me acquis, forcimin e institucioneve, bashkëpunimin rajonal dhe përgatitjen e kompanive për tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.

Ministri Hasani u shpreh se hendeku i konvergjencës socio-ekonomike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së duhet të mbyllet gradualisht.

“Mes sfidave gjeopolitike, një rrugë e përbashkët drejt zhvillimit të qëndrueshëm, tejkalimit të hendekut të konvergjencës dhe krijimit të mundësive është thelbësore si për Ballkanin Perëndimor ashtu edhe për BE-në.

Një qasje e bazuar në merita, me përfitime të prekshme në çdo fazë, është thelbësore për të siguruar një proces të qetë integrimi, duke nxitur stabilitetin, rritjen ekonomike dhe lidhjet më të forta rajonale“, theksoi Ministri Hasani.

Në mëngjesin e punës, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, ishin të pranishëm Ministrat e Punëve të Jashtme të Italisë, Austrisë, Kroacisë, Greqisë, Republikës Çeke, Sllovakisë dhe Sllovenisë.

Në fokus të diskutimeve ishin mënyrat për të çuar përpara reformat e integrimit dhe rifillimi i procesit të integrimit gjatë ciklit të ri institucional.



Skip to toolbar