SHBA: Mbështesim drejtësinë e pavarur/ Gjyqtarët e Kushtetueses takohen me të ngarkuaren me punë të SHBA

AKTUALITET


Trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e kryesuar nga Kryetarja e kësaj Gjykate, znj. Holta Zaçaj, ka zhvilluar këtë të martë, një takim me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, zonjën  Nancy VanHorn, e cila shoqërohej në këtë takim nga znj. Mary Kate Butterfield dhe z. David Backman, këshilltarë ligjorë rezidentë në Ambasadë.

Gjatë takimit, Kryetarja Zaçaj përmendi disa prej hapave të ndërmarrë në lidhje me transparencën dhe informimin e publikut për veprimtarinë e institucionit të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim jo vetëm rritjen e reputacionit dhe kredibilitetit të këtij institucioni, por edhe bërjen të kuptueshme nga publiku i gjerë të vendimeve të saj. Gjatë kësaj periudhe janë miratuar Rregullorja e Marrëdhënieve të Gjykatës Kushtetuese me Median, është bërë kreditimi i gazetarëve që ndjekin veprimtarinë e Gjykatës duke organizuar edhe konferenca interaktive për shtyp, si dhe ndjekja në Live Stream e seancave gjyqësore publike.

Në vijim, duke theksuar rolin e rëndësishëm që luan Gjykata Kushtetuese, si një prej institucioneve më të larta në hierarkinë shtetërore, si dhe rëndësinë që mbart paanshmëria dhe integriteti i gjyqtarëve në përmbushjen si duhet të misionit të saj Kushtetues, palët në takim shprehën angazhimin për gjetjen e mekanizmave të mbështetjes dhe bashkëpunimit për rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e infrastrukturës, në funksion të rritjes së pavarësisë institucionale, garantimit të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të individit, forcimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.



Skip to toolbar