I kërkuar për vrasje në Shqipëri, arrestohet në Greqi 37-vjeçari i armatosur me granata

AKTUALITET


Një person i shumëkërkuar me tre akuza nga autoritetet shqiptare, ka rënë rastësisht në prangat e policisë greke mbrëmjen e djeshme.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Menidi” të Athinës, kur skuadra “DIAS” e policisë greke, gjatë patrullimit me këmbë, ka pikasur dy persona të dyshuar pranë një parku në kryqëzimin e rrugëve “Mposda” dhe “Varela”.

Thirrjes për të ndaluar, dy të dyshuarit nuk i janë bindur, por kanë hedhur disa qese në tokë dhe janë larguar me vrap.

Gjatë ndjekjes është arritur të kapet vetëm njëri prej tyre dhe të shoqërohet në Komisariat. Gjatë kontrollit të qeseve, brenda tyre janë gjetur dhe sekuestruar 2 granata të llojit F1, 2 mekanizma ndezës, 1 kuti me 49 fishekë të kalibrit 9 mm.

Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar 1 fishek i kalibrit 0.38 mm dhe 8 fishekë të kalibrit 7.62X25 mm, të cilat i dyshuari i hodhi gjatë ndjekjes deri në vendin ku u arrestua.

Nga verifikimi i të dyshuarit, rezultoi se identiteti i tij është Ermal Meko, 37 vjeç nga Berati. Ndaj tij rezulton urdhër arresti nga autoritetet shqiptare për vrasje, grabitje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Policia greke vijon hetimet për identifikimin e të dyshuarit të dytë si dhe arsyeve pse mbanin municionin luftarak me vete.



Skip to toolbar