Shkolla 9-vjeçare “Naim Frashëri” në Fier, një investim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe bashkisë së Fierit, sapo ka hapur dyert për 850 nxënësit dhe stafin pedagogjik.
Kryeministri Edi Rama ndau foto të shkollës, teksa bëri të ditur se ajo sot ofron klasa të reja, laboratorë, palestër dhe terrene sportive.
“Shkolla e re 9-vjeçare “Naim Frashëri” në Fier, një investim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe bashkisë së Fierit, sapo ka hapur dyert me kushte dinjitoze për 850 nxënës dhe mësues”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.
Investimi në infrastrukturën shkollore është një prioritet i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Në qarkun e Fierit janë 6 objekte arsimore që janë rehabilituar ose janë ende në proces. Nga këto investime përfitojnë mbi 2000 nxënës.
Por në të gjithë vendin janë 100 shkolla, që përgjatë vitit 2024 janë rehabilituar ose janë në proces rehabilitimi.
Ndërsa 40 kantiere të reja tashmë janë hapur dhe brenda këtij viti shkollor edhe këto objekte arsimore do t’i shtohen kolanës së shkollave të rehabilituara.