“Raporti i qeverisë me bujqësinë është problem i madh”, Nazarko: Jemi në prag fushate dhe vendin e zë çështja e Salianjit dhe dhuna e opozitës

Më të fundit


Analisti Mentor Nazarko e ka konsideruar një problem të madh raportin e qeverisë me bujqësinë, pasi sipas tij nuk është bërë aq sa duhet.

I ftuar në emisionin “Real Story”, ai ka thënë se ndonëse jemi prag fushate, vendin e zë çështja e Salianjit apo raporti i opozitës me flakët dhe dhunën, dhe jo varfëria që po detyron njerëzit të largohen nga vendi.

“Kjo është pikëpyetja më e madhe. Ja ku po dëgjojmë dy përfaqësues të besueshëm, seriozë, të qendrueshëm në alternativën e tyre opozitare. Veçanërisht nisur nga ato që përmendën sot. Për shembull, çështja e barazisë sociale. Për shembull, PS është një parti e majtë që në këto 10 vjet duhet të kishte treguar se si i ka rritur të ardhurat për frymë pjesës më të madhe të popullsisë. Ndërkohë, që mediat flasin vazhdimisht, për fuqizim të grupeve të fuqishme të interesit që quhet oligarkë dhe nuk kemi rritje serioze të të ardhurave për frymë të familjeve qoftë familje qytetare, qoftë familje fshatare. Ky është problemi më i madh, është një sfidë në raport me të vërtetat dhe në raport me PS.

Së dyti, me që është zoti Duka, unë e quaj një problem shumë të madh të kësaj qeverisje, raportin me bujqësinë. Problemi më i madh që ka qeveria është problemi i pronës. Nuk ka bërë për bujqësinë atë që do të duhet të bënte. Në momentin që thotë turizmi, dhe bujqësia e blegtoria është në këto nivele, as nuk duhet të mendohet për rritje të turizmit dhe as për rritje të ekonomisë së vendit.

Çfarë është duke ndodhur? Ndonëse jemi në prag të fushatës elektorale, vendin në publikë e zënë skena të tilla, çështja e Salianjit dhe një lloj privilegjimi i raportit të kësaj opozite me flakët, me dhunën, ndërsa nuk e zënë këto tema që përmenda, bujqësia dhe varfërimi i qytetarëve që po i shtyn ata të ikin jashtë vendit”, u shpreh Nazarko./abcnews.al



Skip to toolbar