Vritet një komandant i Hamasit gjatë një sulmi izraelit në Liban

BOTA


Një sulm izraelit në një kamp refugjatësh në veri të Libanit ka lënë të vrarë një komandant të Hamasit – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – bëri të ditur grupi më 5 tetor.

Kjo është hera e parë që Izraeli sulmon në këtë zonë që nga nisja e luftës në Gazë më 7 tetor 2023.

Saeed Attallah Ali, gruaja e tij dhe dy vajzat e tyre u vranë “nga bombardimet e zionistëve [Izraeli] në shtëpinë e tyre në kampin Bedavi”, afër qytetit Tripoli, u tha në njoftim.

Izraeli vazhdimisht ka shënjestruar anëtarët e Hamasit në Liban që kur lufta në Gazë nisi pothuajse një vit më parë.

Që atëherë, Hamasi ka thënë se të paktën 18 anëtarë të tij janë vrarë në Liban.

Hamasi tha se në sulmet ajrore të së hënës u vra udhëheqësi i tyre në Liban, Fatah Sharif Abu al-Amine, në shtëpinë e tij në kampin Al-Bas në jug të Libanit.

Në gusht, gjatë një sulmi ajror izraelit në Sidon, në jug të Libanit, u vra komandanti i Hamasit, Samer al-Hajj. Ndërkaq, në një sulm në janar, që zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thanë se u krye nga Izraeli, u vra zëvendësshefi i Hamasit, Saleh al-Aruri, dhe gjashtë radikalë të tjerë palestinezë në jug të Bejrutit.

Në Liban janë dhjetëra kampe të refugjatëve palestinezë që ishin krijuar për të strehuar palestinezët që u larguan gjatë luftës së vitit 1948, rreth kohës kur u krijua Izraeli.



Skip to toolbar