Një arsenal armësh është gjetur nga policia në Cërrik, pasi më parë arrestuan një 36-vjeçar, i cili kishte qëlluar me pistoletë në ajër duke terrorizuar zonën.
Sipas policisë, 36-vjeçari qëlloi me armë zjarri në ajër në rrugën e fshatit Liçaj, duke bërë që të niste operacioni i koduar “Neighborhood”, që çoi në zbulimin e municioneve që posedonte, shkruan A2.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, pas informacionit të marrë se në fshatin Liçaj, një shtetas kishte qëlluar në ajër, me armë zjarri që e mbante pa leje, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Neighborhood”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: – S. S., 36 vjeç, banues në fshatin Liçaj. Ky shtetas dyshohet se në gjendje të dehur, ka qëlluar në ajër, me armë zjarri pistoletë, pas mesnatës, në rrugë, në fshatin Liçaj. Nga të shtënat nuk ka patur dëmtime. Gjatë kontrollit në banesën e 36-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehur në kopsht, armën e zjarrit pistoletë, ndërsa në ambientet e tjera të banesës kanë gjetur një krehër me municion luftarak, 2 armë pneumatike, 1 palë dylbi dhe 1 thikë”, sqaron policia.