“Gati strategjia e Shqipërisë Turistike 2030”, Kumbaro: 9,7 milionë vizitorë të huaj deri në shtator

AKTUALITET


Po mbahet në Pallatin e Kongreseve takimi vjetor për analizën e sezonit turistik veror 2024 dhe për të prezantuar Strategjinë e re Kombëtare të Turizmit nën vizionin e Shqipërisë turistike 2030.

Ministrja Mirela Kumbaro, bëri një pasqyrë të projekteve dhe bilanc të shifrave, duke theksuar se ky sezon turistik u mbyll me 9,7 milionë vizitorë të huaj nga janari në shtator.

“9,7 milionë vizitorë të huaj që kemi pritur nga janari në shtator, në mbyllje të sezonit, duke arritur pothuaj gjithë bilancin e vitit që shkoi, që ishte edhe viti rekord në turizëm. Janë tregues i një turizmi që rritet bashkë me ambiciet tona për të konsoliduar një ofertë me nivelet më të larta të cilësisë, standardeve dhe mikpritjes”, konfirmoi ministrja Kumbaro.

Ajo u shpreh më tej se Shqipëria ka arritur të konsolidojë një ofertë turistike të shtrirë gjatë gjithë vitit dhe në të gjithë territorin, çka konfirmohet edhe nga rritjet e numrit të vizitorëve në zonat e mbrojtura e parqet kombëtare, sitet e kulturës dhe në sipërmarrjet e agroturizmit.

“Kemi zbuluar rrugën për të pasur turizëm të shtrirë në kohë dhe në territor dhe këtë e tregojnë 4.5 milionë vizitorët e zonave të mbrojtura gjatë vitit 2024 apo 1 milionë vizitorët e siteve të kulturës, falë punës së mirë që është bërë në promovimin e trashëgimisë kulturore. E tregojnë gjithashtu 270 ofertat në agorturizëm dhe kërkesa shumë e lartë për të qenë në këtë treg, ndërsa falë strategjisë së Agorturizmit, synimi është që potencialet e këtij sektori të përkthehen në 1000 njësi deri në vitin 2030”, vazhdoi ministrja Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u ndal tek Strategjia Kombëtare e Turizmit 204-2030, duke prezantuar shtyllat mbi të cilat ndërtohet modeli i zhvillimit të qëndrueshëm si dhe disa prej objektivave sasiore që ajo synon.

“Strategjia mbështetet në gjashtë shtylla kryesore: Investimet, Politika fiskale dhe rregullatore në turizëm, Menaxhimi i destinacioneve, Zhvillimi i produktit turistik, Marketingu i destinacioneve dhe Ngritja e kapaciteteve mbështetur në tre parimet bazë që janë aspekti social, mjedisor dhe ekonomik”, u shpreh ministrja, duke njoftuar se dokumenti do të hidhet për konsultim publik në javën e ardhshme.

Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024-2030 projekton gjithashtu krijimin, përmirësimin dhe konsolidimin e produkteve turistike duke e ndarë vendin në 6 rajone turistike: Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, rajoni turistik verior i brendshëm, rajoni turistik i Tiranës, rajoni turistik i bregdetit të Jonit si dhe rajoni turistik jugor i brendshëm.

Në përfundim të fjalës së saj, ministrja Kumbaro foli edhe për skemën e re të menaxhimit të plazheve.

“Oferta gjithëpërfshirëse turistike e vendit ka ndryshuar edhe filozofinë e udhëtimeve, ku pushuesit nuk qëndrojnë vetëm në bregdet dhe turistët nuk e vizitojnë Shqipërinë vetëm në muajt e verës për plazhet, por duan të eksplorojnë ofertën turistike përreth siç mund të jenë agroturizmet, sitet kulturore, shtigjet, festat e panairet lokale ”, tha Kumbaro, duke shtuar se rregullorja e re e menaxhimit të plazheve që do të prezantohet brenda muajit tetor, bazohet në parimin kryesor se shezlonget në vetvete nuk mund të jenë model parësor biznesi, por duhen trajtuar vetëm si një aksesor shtesë i strukturave akomoduese.

Ne event po mbajnë fjalën e tyre edhe Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja dhe Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.



Skip to toolbar