Shfrytëzonin për punë të miturin nga Afganistani, arrestohet 18-vjeçari në Shkodër

AKTUALITET


Policia e Shkodrës ka arrestuar një 18-vjeçar dhe ka shpallur në kërkim vëllanë e tij, pasi mbanin me forcë një fëmijë të mitur 16-vjeçar, nga Afganistani (i dyshuar i trafikuar), për ta shfrytëzuar për punë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas informacionit të marrë nga Interpol Tirana, për një minoren nga Afganistani, që mbahej me forcë, në një servis në fshatin Berdicë e Mesme, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Minoreni”.

Në kuadër të operacionit u bë e mundur gjetja e minorenit, në gjendje të mirë shëndetësore.

Në pranga u vu shtetasi A. P., 18 vjeç, banues në fshatin Berdicë e Mesme, Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” si dhe u shpall në kërkim shtetasi K. P., 33 vjeç (vëllai i 18-vjeçarit të arrestuar) banues në fshatin Bërdicë, për veprën penale “Trafikim i të miturve”.

Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë shtetasit L. P., 31 vjeç dhe A. P., 57 vjeç (vëllai tjetër dhe babai i 18-vjeçarit të arrestuar), të dy banues në fshatin Berdicë, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në servisin në pronësi të këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, një armë zjarri pistoletë imituese zhurme, një armë sportive pneumatike dhe municion luftarak.



Skip to toolbar