Tre ekonomistët marrin çmimin Nobel në Ekonomi për dallimet mes shteteve në prosperitet

BOTA


Tre ekonomistët Daron Acemoglu, Simon Johnson dhe James Robinson kanë fituar Çmimin Nobel për Ekonominë për 2024.

Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave tha se çmimi iu dha tre ekonomistëve “për studimet e tyre se si formohen institucionet dhe si ndikojnë në prosperitet”.

Jakob, kryetar i komitetit të çmimeve të ekonomisë, tha se falë studimeve të tre fituesve është më e qartë se kush janë shkaqet që disa vende e arrijnë zhvillimin dhe prosperitetin e tyre ekonomik, dhe disa jo.

“Reduktimi i diferencave të mëdha në të ardhura midis vendeve është një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë, falë hulumtimit novator të Daron Acemoglu, Simon Johnson dhe James Robinson, ne kemi një kuptim shumë më të thellë të shkaqeve rrënjësore se pse vendet dështojnë apo ia dalin mbanë”, tha Svensson.

Komiteti i Nobelit vlerësoi treshen për shpjegimin pse “shoqëritë me një sundim të dobët të ligjit dhe institucionet që shfrytëzojnë popullsinë nuk gjenerojnë rritje ose ndryshim për mirë”.

“Kur evropianët kolonizuan pjesë të mëdha të globit, institucionet në ato shoqëri ndryshuan,” tha komiteti, duke cituar punën e treshes. Ndërsa në shumë vende kjo kishte për qëllim shfrytëzimin e popullsisë autoktone, në vende të tjera hodhi themelet për sisteme gjithëpërfshirëse politike dhe ekonomike.

“Laureatët kanë treguar se një shpjegim për dallimet në prosperitetin e vendeve janë institucionet shoqërore që u prezantuan gjatë kolonizimit,” shtoi komiteti.

Vendet që kanë zhvilluar “institucione gjithëpërfshirëse” janë bërë me kalimin e kohës prosperuese, ndërsa ato që kanë zhvilluar “institucione nxjerrëse” kanë përjetuar rritje të ulët ekonomike të vazhdueshme.

Në librin e tyre të vitit 2012, “Pse dështojnë kombet”, profesori turko-amerikan Acemoglu, nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets dhe Robinsoni, profesor britanik në Universitetin e Çikagos, argumentojnë se disa kombe janë më të pasura se të tjerët për shkak të politikës dhe ekonomisë së tyre.

Daron Acemoglu, Simon Johnson dhe James Robinson do të ndajnë mes tyre çmimin prej 1 milion dollarësh.

Çmimi i ekonomisë njihet zyrtarisht si Çmimi i Bankës së Suedisë në Shkencat Ekonomike në Kujtim të Alfred Nobelit. Ndryshe nga çmimet për fizikë, kimi, mjekësi, letërsi dhe paqe, ai nuk u krijua nga industrialisti suedez, por nga banka qendrore e Suedisë në vitin 1968.

Kush janë fituesit?

Daron Acemoglu, i lindur më 1967 në Stamboll, Turqi, profesor në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, Kembrixh, SHBA.

Simon Johnson, i lindur në vitin 1963 në Sheffield, profesor në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, Kembrixh, SHBA.

James A. Robinson, i lindur më 1960, profesor në Universitetin e Çikagos, SHBA.



Skip to toolbar