Proda mbledh drejtuesit vendorë të policisë, zbardhen porositë

AKTUALITET


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda zhvilloi një takim pune me Drejtorët Vendorë të Policisë.

Analizat 9-mujore, performanca e punës së çdo punonjësi të policisë, duke filluar nga Drejtori i Drejtorisë Vendore deri te punonjësi i rolit bazë, mbajtja nën kontroll e situatës kriminale dhe rritja akoma më shumë e parametrave të sigurisë publike dhe rrugore, lufta kundër trafiqeve të paligjshme dhe çdo paligjshmërie që shfaqet në territor, si dhe ndjekja në dinamikë e konflikteve dhe ankesave të qytetarëve ishin disa nga porositë e dhëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

Drejtor Proda u kërkoi drejtuesve vendorë të Policisë të qëndrojnë në krye të shërbimeve, të ushtrojnë kontroll për zbatimin e detyrave nga vartësit dhe të jenë vigjilentë ndaj shqetësimeve dhe ankesave të qytetarëve.

Pavarësisht përcaktimeve në Ligjin e Ri të Policisë që drejtuesit vendorë duhet të hyjnë në konkurrim, Drejtori i Përgjithshëm u ka kërkuar drejtuesve vendorë të Policisë të kryejnë detyrën me përkushtim sa kohë që janë në atë detyrë.

Në përfundim, Drejtori Proda ka theksuar se performanca në punë, integriteti dhe profesionalizmi janë kriteret thelbësore për një punonjës policie, dhe mbi këto kritere do të bazohet vlerësimi i secilit punonjës policie./abcnews.al



Skip to toolbar