PS KQZ: Votim elektronik edhe në Tiranë. “Ka një numër të madh qytetarësh, krijon lehtësi për procesin”

AKTUALITET


Partia Socialiste ka propozuar edhe qarkun e Tiranës për votim elektronik, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri i ka dërguar një letër Kryekomisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, ku kërkohet votim elektronik për Tiranën, pas Elbasanit dhe Durrësit.

Sipas Partisë Socialiste, Tirana, si qarku më i madh në Shqipëri prodhon një numër të konsiderueshëm mandatesh dhe fleta e votimit do të administrohej me vështirësi nga votusit dhe do të krijonte pengesa objektive, duke krijuar konfuzion në procesin e votimit.

Nga ana tjetër, votimi elektronik do të sillte lehtësira jo vetëm në procesin e votimit por dhe në shpalljen e rezultatit përfundimtar, i cili në këtë rast do të konsiderohet i drejtë dhe pa pretendime për pavlefshmëri që rrjedhin nga numërimi i votave.

Ndërkaq, të njëjtën kërkesë ka bërë edhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, përmes kreut të saj, Dashamir Shehi./abcnews.al



Skip to toolbar