Historiani Maringlen Kasmi thotë se enverizmi vazhdon të ndikojë në politikën shqiptare. I ftuar në emisionin “Real Story”, duke folur për enverizmin, ai tha se ky fenomen shihet edhe në nivele të tjera.
Juristja Brizida Gjikondi u shpreh se Berisha nuk është ndarë asnjëherë nga e shkuara. Ndërkohë, profesor Edmond Dragoti tha se Berisha vazhdon të funksionojë si komunist në qëndrime.
Pjesë nga diskutimi:
Kasmi: Bota sot është e vështirë, njeriu duhet të mundohet shumë për të arritur diçka në fushën politike por kjo s’do të thotë se kjo betejë për të mbijetuar duhet të bëhet duke mos përfillur normat dhe proceset demokratike. Nëse do të krahasojmë, shikojmë që sot, nëse flasim për enverizmin, ka 80 vjet që vazhdon të ndikojë, 45 vjet në kohën e tij dhe sot ndihet e njëjta gjë. Shikojmë që ndodh përsëri i njëjti fenomen, jo vetëm në politikë por edhe në nivele më të ulëta.
Gjikondi: Pushteti është si droga, që të bën sikur ekziston, vlen që të mbetesh në histori. Mendoj që nuk do ta kishte arritur Enver Hoxha që të ishte pjesë më e ndryshimit të sistemit. Kalbëzimi i shtetit kishte arritur në një pikë të tillë, dhe varfërimi shpirtëror, moral dhe ekonomik i shqiptarëve tregoi se nuk kishte më asnjë manovër për të qetësuar popullin sepse ka qenë gati 85 për qind e shqiptarëve që mbushën sheshet dhe anijet. Mendësia që ka ai tregon se ka remishenca të fuqishme te ai, mund të ketë iku nga e shkuara, por e shkuara nuk ka ikur nga Berisha. Ndihet në mënyrën autoritare dhe lidhjen histerike që ka me pushtetin. Ai e di shumë mirë që pushteti është streha për të shpëtuar nga mëkatet që ka bërë familja e tij.
Dragoti: Fakti që ishte pushteti i asaj kohe që zgjodhi një komunist në krye të PD do të thotë se komunistët ishin të parët që u përshtatën me ndryshimet demokratike, rikrijuan një shtet më demokratik dhe social dhe asnjëri nga grupet e tjera shoqërore nuk ishin mësuar plotësisht për t’u përshtatur me një klimë të re të drejtimit të shoqërisë dhe ndryshimi që bëri secili varet edhe nga inteligjenca e tyre emocionale. Nëse sheh sot lideri i vjetër i PD vazhdon të funksionojë si komunist në qëndrimet e tij autoritariste dhe të tjerët vazhdojnë të besojnë se është vërtet demokrat, pavarësisht se shfaq autoritarizmin ekstrem të lidershipit komunist, do të thotë se edhe mbështetësit kanë mbetur në thelb të tillë pa arritur të ndryshojnë mendimin e tyre dhe pa qenë të pavarur në politikë./abcnews.al