Vendimi për emigrantët e Gjadrit, Meloni thërret mbledhje urgjente

AKTUALITET


Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u kap thuajse e papërgatitur nga vendimi i marrë nga Gjykata e Romës, që urdhëroi kthimin në Itali të 12 emigrantëve të cilët ndodhen në kampin e ngritur në Gjadër, me argumentin se nuk vijnë nga vende të sigurta.

Meloni e mori vesh lajmin në Bejrut, aty ku kishte shkuar për të bërë thirrje për armëpushim në Gaza dhe ndaljen e konfliktit mes Izraelit dhe Libanit. Në reagimin e parë pas vendimit Meloni tha se “është e vështirë të punosh dhe të përpiqesh t’i japësh përgjigje këtij kombi kur ke edhe kundërshtime nga një pjesë e institucioneve”.

Ndërkohë në një reagim të dytë, Meloni ka bërë të ditur se do të mbledhë qeverinë sapo të përfundojë vizitën në Liban dhe sipas saj do të arrijë ta zgjidhë shpejt precedentin e krijuar.

Do të gjej një zgjidhje edhe për këtë problem. Unë kam thirrur mbledhjen e kabinetit për të hënën për të miratuar rregullat që do të na lejojnë ta kapërcejmë këtë pengesë. Nuk mendoj se është juridiksioni i gjyqësorit të përcaktojë se cilat vende janë apo jo të sigurta. Është përgjegjësi e qeverisë dhe prandaj besoj se qeveria duhet të sqarojë më mirë se çfarë do të thotë një vend i sigurt”, deklaroi kryeministrja italiane teksa foli nga Bejruti.

Ndërkohë ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani pas vendimit u ka bërë thirrje gjyqtarëve që “të mos e pengojnë qeverinë të punojë”.

“Jam mësuar të respektoj vendimet e gjyqësorit, por do të doja që të respektohen edhe vendimet e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, sepse demokracia bazohet në ndarjen trepalëshe të pushteteve. Gjyqësori duhet të zbatojë ligjet, jo t’i modifikojë ato ose të pengojë ekzekutivin që të jetë në gjendje të bëjë punën e vetë. Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë është një model për t’u ndjekur”, deklaroi Tajani.



Skip to toolbar