Kryetari i bashkimit demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut ngre shqetësimin për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në vend.
Ali Ahmeti u ka dërguar një letër drejtuesve të lartë shqiptarë dhe atyre ndërkombëtare për “mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe stabilitetit dhe harmonisë ndëretnike që ajo ka ndërtuar”.
Siç shkruajnë mediat në Maqedoninë e Veriut, në letrën drejtuar presidentit të Republikës Bajram Begaj dhe kryeministrit Edi Rama, Ali Ahmeti shpreh shqetësimin e tij të thellë për planet e qeverisë së Shkupit për shfuqizimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve
“Planet e trishta, edhe ato çuditërisht të paralajmëruara nga Qeveria e vendit, se Gjykata Kushtetuese pritet të shfuqizojë dispozitat kryesore të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, që bën gjuhën shqipe një gjuhë zyrtare të barabartë sipas amendamentit 5 të Kushtetutës, përbëjnë një goditje të rëndë mbi Marrëveshjen e Ohrit, barazinë, harmoninë ndëretnike dhe stabilitetin në vend.”, shprehet Ahmeti.
Një tjetër çështje e ngritur në letrën e Ali Ahmetit lidhet me ndalimin e identifikimit të përkatësisë etnike në institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut.
“Gjykata kushtetuese duke eliminuar deklarimin e përkatësisë etnike shkel vetë Kushtetutën, ku si vlerë themelore të saj ka përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, dhe se na kthen në gjendjen para arritjes së Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.”, thotë kreu i BDI.
Ndërsa shqetësimi i tretë për drejtuesin e BDI është formimi i një shumice qeverisëse pa përfaqësim të drejtë të komuniteteve etnike.
“Ky veprim nuk ka të bëjë vetëm me BDI-në, por prek parimin e përfaqësimit të drejtë, i garantuar nga amendamenti 6 i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, dhe qëndron si një mekanizëm mbrojtës për të parandaluar mbizotërimin e shumicës ndaj jo shumicës”, shkruan Ali Ahmeti.
Këto tre goditje të mëdha shkruan Ahmeti, ndaj themeleve të Marrëveshjes së Ohrit përbëjnë një kërcënim serioz për paqen, stabilitetin, harmoninë ndëretnike dhe demokracinë multietnike në Maqedoninë e Veriut. Këto nuk janë thjesht çështje të brendshme politike, por kanë pasoja të rënda për rajonin dhe për stabilitetin e tij.
Letra me të njëjtën përmbajtje i është drejtuar edhe presidentes së Komisionit europian Ursula von der Leyen, Kancelarit gjerman Olaf Scholz, Presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Antony Blinken.
Ai u bën thirrje për veprim të përbashkët për të mbrojtur arritjet e marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtat e garantuara të shqiptarëve.