Tregon emrat e atyre që duan ta vrasin, Durim Bami: Kërkoj të mos ekstradohem në Shqipëri

AKTUALITET


Durim Bami, i cili u arrestuar në Dubai, kërkon mos të dorëzohet në Shqipëri pasi thotë se i rrezikohet jeta. Gazetarja e Klan News, Glidona Daci raporton se Bami ka renditur emrat e njerëzve që sipas tij, kërkojnë ta vrasin në Shqipëri pasi ka komunikuar me avokatët e tij.

Ditën e djeshme, Policia e Shtetit u njoh zyrtarisht me arrestimin e Durim Bamit. 45-vjeçari që prej muajsh fshihej në Emiratet e Bashkuara ra sërish në prangat e policisë në Dubai, vend ku u arrestua dhe në muajin Qershor të këtij viti. Pas prangosjes së tij, Interpol Tirana ka dërguar menjëherë kërkesë për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

I përfolur në shumë ngjarje të rënda kriminale të regjistruara në Shqipëri, emri i Durim Bamit doli në komunikimet e zbërthyera të aplikacioneve SKY dhe EncroChat. Nga bisedat e verifikuara nga SPAK, rezulton se ai ka krijuar kushtet për vrasjen e ish-deputetit Arben Ndoka, Hektor Xheçukës dhe Erigers Mihasit.

Emri i tij përfshihet dhe në kultivimin e lëndëve narkotike në zonën e Krujës. Mbi këto akuza, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë. Gjithashtu, po në këtë dosje del në pah se vetë Bami ka qenë në shënjestër të disa grupeve kriminale, të cilat pavarësisht përpjekjeve nuk kanë mundur ta eleminojnë fizikisht atë.



Skip to toolbar