Anija me mbetje të dyshuara si të rrezikshme do të qëndrojë në Radë nën monitorimin e policisë derisa të plotësohen kushtet e nevojshme për sigurinë fizike dhe mjedisore.
Prokuroria e Durrësit, në një deklaratë zyrtare, sqaron se vonesat lidhet me “kompleksitetin e çështjes, si volumi i sendeve objekt sekuestrimi, llojit të sendit dhe veçanërisht nevojës për të garantuar sigurinë mjedisore dhe fizike te tyre”.
Prokuroria njofton gjithashtu se iu ka kërkuar institucioneve publike shqiptare si Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, për të vendosur në dispozicion laboratorë dhe ekspertë për kryerjen e analizave të materialit që ndodhet në kontenierët objekt sekuestrimi.
Njoftimi i Prokurorisë së Durrësit:
Informacion nga Prokuroria Durrës në lidhje me masat e marra për urdhrin e sekuestros së konteinerëve Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, duke marrë parasysh interesin e madh publik në lidhje me procedimin penal nr.1596.2024 dhe ekzekutimin e urdhrit të sekuestros të konteinerëve, bën me dije se institucionet e ngarkuara për ekzekutimin e urdhrit të sekuestros, datë 27.10.2024 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kanë organizuar punën dhe janë në fazë ekzekutimi të tij.
Ata kanë njoftuar zyrtarisht Prokurorinë në lidhje me masat që kanë marrë, ndërsa vonesat lidhen me kompleksitetin e çështjes, si volumi i sendeve objekt sekuestrimi, llojit të sendit dhe veçanërisht nevojës për të garantuar sigurinë mjedisore dhe fizike te tyre. Deri në momentin e finalizimit të procesit të sekuestros, anija do të vijojë të qëndrojë në Radë nën monitorimin e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, i është drejtuar disa institucioneve publike shqiptare, si Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, për të vendosur në dispozicion laboratorë dhe ekspertë për kryerjen e analizave të materialit që ndodhet në kontenierët objekt sekuestrimi.
Për shkak të interesit të lartë publik që mbart kjo çështje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës do të vijojë të mbajë të informuar opinionin publik në lidhje me hapat e mëtejshëm./abcnews.al