Apeli i Posaçëm ka zhvilluar këtë të martë (5 nëntor) seancën për Laert Haxhiun. Ky i fundit ka apeluar vendimin e Shkallës së Parë që vendosi burg përjetë në mungesë për 32 vjeçarin, i akuzuar për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës si dhe për plagosjen e Marjus Xhepexhiu dhe të Bujar Turkut.
Avokati i Laert Haxhiut ka kërkuar riçelje të hetimit dhe ekspertizë për pamjet filmike, por kërkesa e tij nuk u pranua.
Po ashtu, edhe vetë Haxhiu ka deklaruar se po dënohet padrejtësish dhe pa fakte. Avokati i Haxhiut kërkoi kohë për t’u konsultuar me të pandehurit dhe në këto kushte seanca u shty për më 13 nëntor në orën 10:00.
Haxhiu u ekstradua në Shqipëri në muajin korrik. 32-vjeçari, i dënuar me burgim të përjetshëm, akuzohet për një sërë veprash penale si: “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.