Makina merr përpara turmën në Kinë, 35 të vdekur!

BOTA


35 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 40 të tjerë janë plagosur në jug të Kinës, pasi një automjet tip SUV përplasi turmat që po bënin ushtrime në ambientet e një qendre sportive në qytetin Zhuhai. Incidenti ndodhi të hënën rreth orës 8 të mbrëmjes, sipas një deklarate të policisë kineze të martën.

I dyshuari, një burrë 62-vjeçar, i identifikuar me mbiemrin Fan, dyshohet se kreu aktin pas një mosmarrëveshjeje mbi ndarjen e pronës në procesin e divorcit. Fan u arrestua nga policia teksa përpiqej të largohej nga vendngjarja dhe u ndalua pasi u gjet duke u vetëlënduar me një thikë brenda automjetit. Ai u dërgua menjëherë në spital dhe aktualisht është në gjendje të rëndë, i pavetëdijshëm dhe nuk është marrë ende në pyetje.

Lideri kinez Xi Jinping ka bërë thirrje për përpjekje maksimale për trajtimin e të plagosurve dhe ka kërkuar që autori të ndëshkohet me ashpërsi sipas ligjit. Ai e cilësoi sulmin si një akt “me natyrë jashtëzakonisht të ligë,” raportoi CCTV, transmetuesi shtetëror kinez.

Ngjarja ndodhi një ditë para fillimit të ekspozitës më të madhe ajrore civile dhe ushtarake në Kinë, e cila mbahet nga 12 deri më 17 nëntor në Zhuhai.

Pasi ndodhi incidenti, Qendra Sportive Zhuhai njoftoi mbylljen e saj deri në një njoftim të mëtejshëm.



Skip to toolbar