Ushtria e Ukrainës ka akuzuar Rusinë se ka nisur një sulm me raketa balistike interkontinentale në qytetin Dnipro.
“Sulmi ka nisur nga krahina Astrakhan, brenda territorit të Federatës Ruse”, tha Forca Ajrore e Ukrainës në një deklaratë. Ushtria ukrainase tha gjithashtu se janë lëshuar edhe raketa të tjera balistike, të cilat janë rrëzuar dhe nuk kanë shkaktuar dëme.
Raketat balistike interkontinentale janë armë me rreze të gjerë veprimi që lëshohen në hapësirë dhe më pas nga aty lëshojnë predhat që rifuten në atmosferë dhe godasin objektivin.
Ato vlerësohet se kanë një rreze veprimi minimalisht 5500 kilometra por sipas Qendrës për Kontrollin e Armëve, disa raketa specifike mund të arrijnë deri në 9000 kilometra.
Këto raketa lëshohen nga platforma të vendosura nëntokë apo mjete lëvizëse. Raketa e parë balistike interkontinentale është lëshuar në vitin 1957 nga Bashkimi Sovjetik. Dy vite më vonë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës lëshuan një raketë të tillë.
Lloje të tjera raketash balistike përfshijnë ato me rreze të ndërmjetme (3-5 mijë kilometra), rreze të mesme (1-3 mijë kilometra) dhe rreze të shkurtër (më pak se 1000 kilometra).