Edi Rama: Nesër drafti i Fjalorit të Madh, do shkruhet edhe libri i historisë së shqiptarëve

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm sot në Kuvendin Kombëtar të Gjuhës Shqipe. Bazuar te historia, Rama theksoi se gjuha e shqiptarëve ka qenë gjithmonë një e patjetër do “t’i mbijetojë barbarisë së këtij shekulli”. Me këtë të fundit, ai iu referua të gjithë atyre që keqpërdorin gjuhën në hapësirën e rrjeteve sociale.

“Në vitin 1972, unë asokohe isha në klasë të dytë, Eqrem Çabej ka publikuar një ese për origjinën e fjalës Shqipëri, nisur me hartat antike të Aleksandrisë, janë të parat që vendosin Albanopolosin në hartë dhe përfundon me Manastirin. Në atë ese shkruan se Shqipëria ka pasur shumë emra, por gjuha ka qenë gjithmonë një. Sa i takon emrit, mbetet e dyshimtë, ka mendime se ka dalë nga emri i shqipes, qysh në kohën e Skënderbeut. E megjithatë, ne nuk kemi munguar asnjëherë të kontestojmë edhe Çabejn e madh në kërkim për nxjerrjen e një lavdie të së shkuarës që do na mjaftonte ta kërkonim e mbanim fort tek e vërteta, jo tek fantazitë e deliret e së sotmes.

Sot ky Kuvend Kombëtar, që duket modest në formatin e vet, por është përmbajtësor në përvjetorin e 116-të të ditës së miratimit të Alfabetit në Kongresin e Manastirit lidhet edhe me një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm kur shqipja bëhet një përkatësi e përbashkët e të gjithëve ne. Një përkatësi që është e jona, që askush nuk na e heq dot dhe nga askush tjetër nuk na vjen kërcënimi, përveçse nga vetvetja.”

Për kreun e qeverisë, Gjuha Shqipe shumë shpejt do rreshtohet si ndër më të rrallat e të veçantat në familjen europiane. Ai theksoi se 22 Nëntori ose Dita e Alfabetit do jetë çdo vit festë kombëtare.

 “Është ky vendi për të lidhur këtë Kuvend edhe me kujtimin e Arben Xhaferrit i cili sot nuk jeton më, por ishte shqiptari që pati idenë që të kërkojë që Dita e Alfabetit, 22 Nëntori të jetë festë kombëtare për shqiptarët në Maqedoni, e që tashmë është festë e përmotshme e gjithë Shqiptarisë.”

Rama bëri me dije se nesër do të prezantohet publikisht drafti i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, i përditësuar.

“Sot më vjen mirë që si pjesë e kësaj rezistence, ne mund të themi që jemi në momentin historik sa i përket prezantimit të Fjalorit të madh të Gjuhës Shqipe që më në fund përditësohet falë punës së Akademisë së Shkencave. Nesër në dijeninë time, do të prezantohet publikisht edhe drafti i këtij fjalori, sepse ai do të hidhet në konsultim të gjerë publik dhe do merren të gjitha ato opinione, vërejtje e kontribute që me gjasë mund ta pasurojnë, por me siguri do e konsolidojnë si produkt të përbashkët të një rezistence të domosdoshme.”

Teksa e quajti veten “dashnor të paepur të Gjuhës Shqipe”, e mbylli fjalën e tij me thënien e albanologut të huaj Maximilian Lambert. “Historia e vërtetë e njerëzimit do shkruhet vetëm atëherë kur shqiptarët të lejohen të shkruajnë historinë e tyre. Është dikush që nuk na lë ta shkruajmë historinë tonë, që jemi ne. Në këtë përballje me vetveten, ne po përpiqemi që të mbështesim Akademinë e Shkencave për të shkruar librin e madh të historisë së shqiptarëve, mesa di i kanë përfunduar ato volumet problematike”, përfundoi Rama.

Kujtojmë se Dita e Alfabetit Shqip u shënua në Kongresin e Manastirit, i cili u zhvilua nga data 14-22 Nëntor të 1908-ës.



Skip to toolbar