Është zbardhur atentati ndaj Ardian Çapjas, ngjarje e ndodhur në Elbasan më 8 Qershor 2020. Mësohet se urdhri për ekzekutimin e tij është dhënë nga Suel Çela, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Sipas burimeve, ndaj Ardian Çapja ka qëlluar snajperisti nga Shkodra, Prekë Kodra, i cili është në mesin e 21 personave ndaj të cilëve SPAK ka lëshuar urdhër arresti.
“Gjatë hetimit të këtij procedimi penal nr.193/2023 janë dokumentuar faktet penale si më poshtë: Vrasje e mbetur në tentativë me snajper në dëm të shtetasit, A.Ç., në datën 08.06.2020 në qytetin e Elbasanit”, njoftoi Prokuroria e Posaçme.
Atentati ndaj Ardjan Çapjas
Ardian Çapja u qëllua me snajper më 8 Qershor 2020 dhe mori një plumb poshtë supit. Ngjarja ka ndodhur në lagjen e quajtur Kraste.
Ai u dërgua në spitalin e Traumës ku iu nënshtrua një operacioni. Ky ishte atentati i tretë ndaj tij. Atentati i parë i është bërë në janar të 2016. Ndërsa atentati i dytë i është bërë në dhjetor të 2017.
Autorët e qëlluan me kallashnikov, Çapjan pasi e kanë mbajtur survejim prej disa ditësh. Por ata dështuan në planin për atentatin pasi u diktuan në kohë nga shënjestra.