Meksika ka paralajmëruar SHBA se rritja e tarifave e parashikuar prej tyre mund t’ju kushtojë plot 400,000 vende pune.
Këtë të hënë, në një dalje për mediat, Trump njoftoi planet për të vendosur tarifa masive jo vetëm ndaj Kinës, por edhe ndaj Kanadasë dhe Meksikës, me një shkallë të madhe prej 25 përqindësh.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi nga presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, e cila tha se përgjigja e Meksikës do të jetë e shpejtë nëse Trump i zbaton planet e tij.
Gjithashtu Ministri i Ekonomisë, Marcelo Ebrard paralajmëroi kundër fillimit të një lufte tregtare rajonale nga Trump, duke e quajtur koston për punëtorët e SHBA-së “të jashtëzakonshme”.
Ai shtoi se ndikimi do të shtrihej përtej punëtorëve dhe do të prekte konsumatorët amerikanë. Ebrard përmendi se shumica e kamionçinëve të shitura në SHBA prodhohen në Meksikë. Ai pretendoi se tarifat e Trump do të shtonin 3,000 dollarë në koston e një automobili të ri.
“Prandaj ne themi se do të ishte një goditje në këmbë,” tha Ebrard. /abcnews.al