Ç’paqe do të kemi pas luftës?

BOTA


“Lufta në Ukrainë ka trazuar historinë e shekullit njëzet e një, duke u bërë shenjuesja e tij, ashtu si konfliktet e Revolucionit Francez dhe Perandorisë ishin shenjueset e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe Lufta e Madhe shenjuesja e shekullit të njëzetë”, shkruan Nicolas Baverez në Le Figaro. Ajo mbylli ciklin e globalizimit. Dhe hapi përplasjen e madhe midis perandorive autoritare dhe demokracive, duke sanksionuar aleancën midis Kinës dhe Rusisë dhe duke e afruar Moskën me Teheranin dhe Phenianin. Ajo hodhi dritë mbi natyrën e tiranive të shekullit njëzet e një, ambiciet e tyre për pushtet dhe përdorimin e pakufizuar të dhunës prej tyre. Ajo e ka reshtuar jugun me autokracitë, siç e pamë në samitin e G20-ës në Rio. Nga ana tjetër, ajo nxorri në pah cenueshmërinë dhe unitetin e demokracive. Prandaj, nuk ka dyshim se rezultati i luftës në Ukrainë do të ketë një rol vendimtar në fatin e lirisë dhe Evropës.

Pas 1000 ditësh luftime, kjo luftë e tmerrshme dhe shkatërruese, e cila vlerësohet të ketë shkaktuar të paktën 700,000 vdekje dhe plagosje nga pala ruse dhe më shumë se 500,000 nga pala ukrainase, ka arritur një pikë kthese të rëndësishme. Pa u dorëzuar, Ukraina ende e gjen veten përballë një situate shumë të vështirë. Në aspektin ushtarak, ushtria e saj po tërhiqet nga Donbasi, viktimë e mungesës së njerëzve dhe pajisjeve përballë rulit rus, i cili përparon me çmimin e humbjeve të tmerrshme. Përparimi drejt Kurskut nuk mundësoi që presioni të reduktohej dhe forcat e Kievit janë shumë të ekspozuara përballë 50,000 burrave, përfshirë 12,000 koreano-veriorë, të grumbulluar nga Moska për ta rimarrë.

Në rrafshin politik, popullsia ukrainase, pa u dorëzuar, është e rraskapitur nga bombardimet masive të qyteteve dhe infrastrukturës thelbësore, e cila ka shkatërruar 65 për qind të kapacitetit të prodhimit të energjisë. Në një nivel strategjik, mbështetja e demokracive perëndimore është dobësuar nga zgjedhja e Donald Trumpit, i cili është zotuar t’i japë fund konfliktit brenda 24 orëve – Kievi varet tërësisht nga mbështetja ushtarake dhe financiare e Uashingtonit – si dhe nga ndjekja prej Gjermanisë e një politike qetësimi, me nxitjen e Olaf Scholzit.

Rusia e Vladimir Putinit, nga ana tjetër, ndihet në një pozicion force, e mbështetur nga aleanca me Kinën, e mbështetur nga fluksi i njerëzve, armëve dhe municioneve nga Koreja e Veriut dhe Irani, dhe e legjitimuar nga mbështetja e Jugut, veçanërisht përmes Brics. Në sipërfaqe, është një kohë përshkallëzimi. Nga pala ruse, me vendosjen e një kontingjenti të Koresë së Veriut që mund të arrijë 100,000 ushtarë, bombardimet sistematike të qyteteve dhe intensifikimi i operacioneve të destabilizimit dhe dezinformimit në Evropë (Moldavi) dhe Afrikë. Një prag i ri u tejkalua me sulmin në Dnipro përmes një rakete balistike me rreze të mesme veprimi, e krijuar për të mbajtur koka bërthamore, duke materializuar kërcënimin e përdorimit të armëve atomike përballë një “konflikti global”.

Nga pala ukrainase, me shtrirjen e teatrit të luftës në territorin rus, autorizimin për të goditur objektivat ushtarake në Rusi me raketa perëndimore me rreze të mesme veprimi dhe vendosjen e minave amerikane, për të ndaluar përparimin rus në Donbas.

Megjithatë, prapa përshkallëzimit ushtarak ekziston një moment diplomacie, i përmendur nga Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky. Konflikti ka arritur në një ngërç, ku asnjëra palë nuk ka arritur të bëjë një hap vendimtar përpara. Rusia ka avantazhin prej shtrirjes dhe popullsisë së saj prej 145 milionë banorësh në krahasim me 37 milionë të Ukrainës, por përpjekja e Vladimir Putinit për të asgjësuar shtetin dhe popullin ukrainas ka dështuar. Të dy vendet janë të rraskapitur. Ukraina është e varfër demografikisht dhe ekonomikisht, me dëme të vlerësuara në 155 miliardë dollarë.

Rusia ka demonstruar qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme të popullit të saj dhe po përfiton nga euforia e një ekonomie lufte të nxitur nga shpenzimet ushtarake që arrijnë në më shumë se 6 për qind të PBB-së dhe përfaqësojnë 40 për qind të buxhetit të shtetit federal. Por ajo po shkatërron të ardhmen e saj me mërgimin e më shumë se një milion të rinjve të aftë, varfërimin e popullsisë për shkak të inflacionit, bllokimin e investimeve dhe inovacionit, përhapjen e korrupsionit dhe forcimin e represionit.

Periudha para hapjes së negociatave do të jetë më e rrezikshmja nga të gjitha, sepse do të favorizojë ekstremizmin e dhunës për t’i përballur negociatat nga pozicioni më i mirë i mundshëm.

Do të duhet një mendje e ftohtë dhe reflektim mbi kuadrin dhe përmbajtjen e negociatave, edhe në skenarin më të pafavorshëm në të cilin ato do të zhvillohen ekskluzivisht midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Objektivi i Vladimir Putinit do të jetë të ruajë 20 për qind të territorit ukrainas që ai ka pushtuar, duke parandaluar anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe duke kufizuar sa më shumë që të jetë e mundur garancitë e sigurisë që i jepen Kievit dhe Evropës. Donald Trumpi do të përpiqet të kufizojë përfshirjen e Shteteve të Bashkuara dhe të financojë rindërtimin e Ukrainës nga BE, duke ia besuar në të njëjtën kohë kompanive amerikane. Pozicioni i evropianëve është i paqartë. Prandaj, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Polonia duhet të takohen shpejt për të diskutuar dhe për të përcaktuar një pozicion mbi çështjet kritike që do të hidhen në tryezë. Armëpushim i thjeshtë apo paqe e vërtetë?

Çfarë lëshimesh territoriale duhet të bëjë Ukraina në këmbim të garancive për sigurinë e saj (anëtarësimi në NATO, prania e ushtarëve amerikanë dhe/ose evropianë)? Si duhet të organizohet dhe financohet rindërtimi i Ukrainës, kostoja e të cilit llogaritet në 500 miliardë dollarë? Çfarë arkitekture sigurie duhet të adoptojë Evropa për t’u përballur me Rusinë, kërcënimi ekzistencial i së cilës nuk do të zhduket me ndërprerjen e luftimeve dhe në dritën e kthesës izolacioniste dhe proteksioniste të Shteteve të Bashkuara, e cila shkon përtej personalitetit të Donald Trumpit dhe është e destinuar të zgjasë?

Rreziku kryesor mbetet ai i një lehtësimi frikacak nga ana e evropianëve, i çorientimit të tyre dhe heqjes dorë nga riarmatimi fillestar – sforcoja e mbrojtjes u rrit me 31 për qind krahasuar me vitin 2021, duke arritur në 326 miliardë euro, e barabartë me 1,9 për qind të PBB-së. Në epokën e perandorive, në një botë të dhunshme ku forca mbizotëron mbi ligjin, varësia nga pikëpamja e sigurisë është e barabartë me vetëvrasjen. Cilido qoftë rezultati i luftës në Ukrainë, evropianët do të duhet të kenë parasysh se kushti për paqen me Rusinë do të mbetet krijimi i një parandalimi efektiv ushtarak kundër një sulmi të ri, ndaj të cilit nuk do të jetë më në gjendje të mbështetet vetëm tek Shtetet e Bashkuara.

Në një kohë kur tundimi për të shpërndarë dividentët e përfundimit të luftës në Ukrainë do të jetë shumë i fortë përballë kërkesave të qytetarëve për mbrojtje dhe mbingarkesës së shteteve me borxhe, riarmatimi i koordinuar i Evropës do të jetë edhe më imperativ. Ai do të përbëjë një provë vendimtare të vullnetit të qytetarëve të demokracive për të mbrojtur lirinë në shekullin e njëzet e një. / bota.al



Skip to toolbar