Shqipëria e vajzave fitoi me rezultatin 1-2 ndeshjen miqësore ndaj Rumanisë. Golat e realizuar nga Valentina Troka dhe Megi Doçit vendosën takimin e kësaj sfide, të zhvilluar pasditen e sotme në stadiumin “Eugen Popescu” në Rumani.
Formacioni titullar i ndeshjes ishte ky: Rexhepi (GK), Doçi (c), Elezaj, Franja, Curraj, Krasniqi, Troka, Dedaj, Hila, Berisha, Tukaj. Kuqezezat e drejtuara nga trajneri Armir Grima dominuan ndeshjen që në minutat e para dhe goli erdhi shumë shpejt. Ishte sulmuesja Valentina Troka ajo e cila kaloi në avantazh skuadrën që në minutën e 9-të. Rumania barazoi rezultatin me Cristina Carp në minutën e 43-të dhe pjesa e parë mbyllet me shifrat 1-1.
Fraksioni i dytë nis ndryshe, me vajzat kuqezi që futen në fushën e lojës për të shënuar golin e epërsisë dhe për të fituar ndeshjen. Trajneri Grima bën disa zëvendësime, duke hedhur në fushë lojtaret Florentina Kuqi, Rreze Gashi, Mikaela Metalla dhe Kristina Hoxhaj.
Goli i fitores erdhi në minutat shtesë, në të 93-të saktësisht dhe u realizua nga kapitenia Megi Doçi.
Me fitoren 1-2 mbyllet kjo ndeshje miqësore si edhe grumbullimi 8-ditor i kombëtares së vajzave. Ky grumbullim i shërbeu stafit kuqezi të shohë gjendjen fizike të vajzave si edhe të testojë lojtaret e afruara në skuadër.