Kuçi: Jam i pafajshëm

KOSOVA


Ish ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, tha të hënën se ndjehet tërësisht i pafajshëm lidhur me akuzat për pengim të drejtësisë.

Zoti Kuçi u paraqit të hënën para Gjykatës së Posaçme me seli në Hagë e cila trajton pretendimet për krime lufte në Kosovë. Zyra e Prokurorit të Specializuar e cila të enjten bastisi shtëpinë e tij në Prishtinë, e akuzon zotin Kuçi për mosbindje ndaj gjykatës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi të premten se ka ngritur akuza kundër ish Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për vepra penale të pengimit të drejtësisë dhe pjesë e akuzës janë edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj e Fadil Fazliu, për përpjekje për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Akuza përfshin edhe zotin Kuçi, i cili të hënën tha se është i pafajshëm.

“Sot është një prej momenteve të errëta për mua si njeri i drejtësisë, që e ka profesion dhe mision tërë jetën, dhe jam identifikuar me drejtësi”, tha zoti Kuçi në fjalën e tij. “Unë nuk kam bërë asnjë vepër penale. Unë jam i pafajshëm dhe kam besim të plotë se do të lirohem nga akuzat”, shtoi ai.

Edhe ish kryetari i komunës së Malishevës Isni Kilaj, tha se ndjehet i pafajshëm.

Të dielën ish presidenti Thaçi dhe zoti Smakaj nuk u deklaruan për akuzat ndaj tyre, ndërsa zoti Fazliu tha se ndjehet i pafajshëm.

Sipas aktakuzës “mes të paktën 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të veçanta, zoti Thaçi u ka ofruar zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacione të besueshme për zyrën e prokurorit, dëshmitarët, i udhëzoi ata që të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u ofroi hollësi si ta bëjnë këtë”.

Aktakuza pretendon se zoti Thaçi “bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me tre të akuzuarit tjerë si dhe me zotin Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve”.

Në njoftimin e së premtes për ngritjen e akuzave, zyra e Prokurorit të Specializuar tha se “e trajton pengimin e drejtësisë jashtëzakonisht seriozisht dhe do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjithë ata që përfshihen në këtë veprimtari”.

Me 3 prill të vitit 2023 në Gjykatën e Posaçme, filloi procesi gjyqësor kundër ish presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarëve të tjerë të Kosovës, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Zoti Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u arrestuan në vjeshtën e vitit 2020, mohojnë pretendimet e prokurorisë.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe vepron në bazë të ligjeve të saj, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës në vitin 2011, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Por, kjo çështje nuk u përfshi në asnjë nga akuzat e deritashme, ndonëse ishte në themel të idesë për themelimin e gjykatës.



Skip to toolbar