Bashkëthemeluesi i ‘Djathtas 1912″, deputeti Enkelejd Alibeaj thotë se çështja për mandatin e deputetes socialiste, Olta Xhaçka nuk duhej dërguar për opinion te Komisioni i Venecias.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Alibeaj u shpreh se kërkesa në Gjykatën Kushtetuese, bëhet vetëm nga Kuvendi, me një vendim të votuar nga 71 e më shumë deputetë.
“Institucioni refuzoi të merrte vendim me 71 e më tepër vota për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese. Nuk ka vendim nga Kuvendi. Ishte vendim për të mos e çuar. Në një rast ishte abstenues, në rastin tjetër kundërshtues. Hallkat, tre hallka janë, një, Këshilli i Rregullores dhe Mandateve, Kuvendi me 140 në instancë të dytë dhe hallka e tretë e domosdoshme është Gjykata Kushtetuese.
Dyshimet janë të vërteta apo nuk janë të vërteta. Në dy raste, ky zinxhir me tre instanca, ngeli te hallka e dytë, ngeli te Kuvendi, Kjo ka qenë arsyeja që kreu i Gjykatës Kushtetuese tha, duhet t’ia sillni gjykatës me vendim të Kuvendit. Kaq e thjeshtë është. Nuk ishte fare nevoja për ta çuar në Komisionin e Venecias. Ka pasur praktika më përpara, rasti i zotit Kokëdhima dhe Beqja. Ishte Kuvendi, ishte mazhorancë e Partisë Socialiste. E vendosën në atë kohë, e çuan në Gjykatën Kushtetuese.
Që Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë çështjen, dikush duhet të bëjë kërkesë. Politika mund të fusë duart kur nuk ia çon Gjykatës Kushtetuese.
Kush duhet t’ia çojë kërkesën te dera?
E vetmja metodë që çon metodë të vlefshme, duhet të jetë vendim i Kuvendit, vendim kur votojnë jo më pak se 71 deputetë. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese, madje dy vendime janë të pazbatuar. Kjo është e rëndë. Ka dy vendime të Gjykatës Kushtetuese të pazbatuara. Këtë GJK kemi, këto institucione kemi. A i votuam në 2016? Më i madh se emrat dhe pozicioni, është shteti.”, theksoi ai./abcnews.al