Shqipëria tjetër hap drejt BE-së/ Më 17 dhjetor takimi i radhës në Bruksel

BOTA


Shqipëria përparon më tej në rrugën drejt integrimit europian. BE ka miratuar Pozicionin e Përbashkët për Klasterin 6, i cili përfshin Marrëdhëniet e Jashtme, duke i hapur rrugën zhvillimit të Konferencës së Tretë Ndërqeveritare me Shqipërinë. Ky takim do të mbahet më 17 dhjetor 2024, në kuadër të presidencës hungareze të BE-së dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit të vendit tonë në BE.

“Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së kanë miratuar Pozicionin e Përbashkët të BE-së për Klasterin 6: Marrëdhëniet e Jashtme, duke hapur rrugën për mbajtjen e konferencës së tretë ndërqeveritare me Shqipërinë më 17 dhjetor. Kjo konferencë, e dyta gjatë presidencës hungareze, pasqyron angazhimin e BE-së për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit për vendet kandidate”, thuhet në reagimin e Presidencës hungareze të BE.

Ky vendim vjen pas hapjes së kapitullit të “Themelorëve”, që përfshin reformat kyçe në drejtësi, sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Zhvillimi i Konferencës Ndërqeveritare në 17 dhjetor pritet të shënojë një moment vendimtar për ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë.

Në 15 tetor 2024 Shqipëria çeli zyrtarisht negociatat për kapitujt e parë me Bashkimin Evropian. Konferenca e ardhshme Ndërqeveritare është e dyta që zhvillohet gjatë presidencës hungareze.



Skip to toolbar