Kuvendi diskuton sot faljen e gjobave dhe Forcat Rezerviste! PD interpelancë me Kumbaron

AKTUALITET


Kuvendi i Shqipërisë do mbajë sot seancën e radhës plenare, në orën 10:00.

Në rend dite është parashikuar një interpelancë me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kërkuar nga deputetja Ina Zhupa.

Sipas agjendës së bërë publike, Kuvendi do të shqyrtojë Aktin normativ nr. 4, datë 27.11.2024 “Për një shtesë në ligjin nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar.

Gjithashtu, në seancën do të diskutohet edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër të huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Laboratorët inteligjentë (Smart Labs) – digjitalizimi i sistemit arsimor shqiptar”.

Më tej, do të shqyrtohet projektligji “Për ratifikimin e Konventës për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve Gjyqësore të Huaja në Çështjet Civile ose Tregtare”.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligjin “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për veprat penale që lidhen me pasurinë kulturore, bërë në Nikosia më 19.5.2017”.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Kuvendit, sot do të diskutohet edhe projektligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Gjithashtu, Kuvendi do të diskutojë edhe projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Forcës Rezerviste në Republikën e Shqipërisë”.

Më tej, do të diskutohet edhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 091, datë 5.3.2009, “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar””, i ndryshuar.

Seanca plenare që parashikon 16 çështje në rendin e ditë, e cila nis me miratimin e procesverbalit të vendimeve të seancës së kaluar, përfshinë në pikën 11, faljen e gjobave.

Projektligji i propozuar nga deputeti socialist Erjon Braçe, propozon faljen e gjobave në disa kategori (anulim-shfuqizimin), aq shumë i debatuar dhe kundërshtuar nga opozita.

Kuvendi gjithashtu do të shqyrtojë projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7975, datë 26.7.1995, “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, i ndryshuar.

Në rend të ditës për diskutim është edhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.

Në përfundim të seancës, Kuvendi ka parashikuar edhe projektvendimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 92/2017 “Për miratimin e strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”, i ndryshuar, si dhe projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Hartimin e Reformës “Pakti për fëmijët”.



Skip to toolbar