Drogonte dhe përdhunonte gruan, bashkë me burra të tjerë, dënohet me 20 vjet burg

AKTUALITET


Një gjykatë në Francë e ka dënuar Dominique Pelicotin me 20 vjet burgim për drogimin dhe përdhunimin e vazhdueshëm të bashkëshortes së vet Gisele Pelicot për gati një dekadë, si dhe për rekrutimin e burrave të tjerë për ta përdhunuar atë në shtëpitë e tyre.

Dominique Pelicot tha në gjykatë se është përdhunues dhe i kërkoi falje familjes së vet. Prokurorët kishin kërkuar dënim maksimal prej 20 vjetëve burgim për të.

Rasti i Gisele Pelicotit e ka tronditur botën dhe e ka shndërruar atë në simbol të guximit.

Prokurorët gjithashtu kanë kërkuar dënime me burgim prej katër deri në 18 vjet për 50 të pandehurit e tjerë në këtë rast. Pothuajse të gjitha ata akuzohen për përdhunimin e Pelicotit pasi ajo e kishte humbur vetëdijen.

Dominique Pelicot, 72 vjeç, u deklarua fajtor për akuzat gjatë gjyqit tremujor dhe i kërkoi falje familjes.

Shumica e të pandehurve në këtë rast, të cilët ai i kishte takuar online, e kanë mohuar akuzën e përdhunimit, duke thënë se mendonin se po merrnin pjesë në një lojë seksuale me pajtueshmëri, të orkestruar nga çifti, dhe duke argumentuar se nuk ishte përdhunim nëse burri i saj u dha leje ta bënin.

Pelicot ka thënë se ata e dinin se ish-bashkëshortja e tij ishte pa ndjenja dhe e pavetëdijshme kur ndodhen këto akte.

Gisele Pelicot, 72-vjeçare, hoqi dorë nga anonimiteti gjatë gjykimit dhe kërkoi që videot e tmerrshme të abuzimit të saj, të cilat ishin xhiruar nga ish-bashkëshorti i saj, të shfaqeshin në gjykatë, duke thënë se kjo do t’i ndihmonte gratë e tjera ta ngrenë zërin.

Gjykimi ka nxitur protesta nëpër Francë në mbështetje të Giseles.

“Kam vendosur të mos ndihem e turpëruar. Unë nuk kam bërë asnjë gabim. Ata duhet të ndihen në turp”, tha ajo në gjykatë.



Skip to toolbar