Familja Assad ka shkruar një histori të errët të terrorit, represionit dhe krimeve kundër njerëzimit që nga koha e Hafez Assadit, e deri te djali i tij Bashar. Për gjysmë shekulli, ky klan ka përdorur mjete brutale për të ruajtur pushtetin, duke përfshirë torturat, sulmet kimike dhe masakrat masive.
Fillimet e terrorit: Hafez Assad dhe masakra e Hama-s
Hafez Assad, i cili udhëhoqi Sirinë për disa dekada, e konsolidoi pushtetin e tij përmes dhunës ekstreme dhe represionit. Në vitin 1982, ai u bë protagonist i një prej masakrave më të përgjakshme në historinë moderne të Sirisë. Duke përdorur tanket dhe ushtrinë, Hafez mbyti një kryengritje të Vëllezërve Myslimanë në qytetin Hama, duke vrarë rreth 40,000 njerëz. Ky akt brutal ishte vetëm një nga shumë episodet që vulosën regjimin e tij si një makineri terrori.
Bashar Assad: Trashëgimia e regjimit të terrorit
Kur Bashar Assad mori pushtetin pas vdekjes së babait, ai trashëgoi një sistem represiv të mirëkrijuar. Ky sistem u përdor për të shtypur protestat gjatë “Pranverës Arabe,” që më vonë u kthyen në një luftë civile shkatërruese. Gjatë viteve 2012-2019, regjimi i Basharit përdori arrestime pa gjyq, tortura dhe zhdukje masive si mjetet kryesore të kontrollit.
Për më tepër, sulmet kimike me sarin, si dhe bombardimet me fuçi eksplozive mbi zonat e banuara, ishin pjesë e strategjisë së tij brutale. Sulmi i famshëm me gaz sarin në Ghouta në vitin 2013 vrau mijëra njerëz dhe tronditi komunitetin ndërkombëtar. Edhe spitalet dhe shkollat u bënë objektiva të bombardimeve, duke shkatërruar infrastrukturën dhe shtuar numrin e viktimave, që mendohet të ketë arritur në gjysmë milioni.
Mbulimi i krimeve dhe mohimi
Familja Assad ka bërë gjithçka për të fshehur krimet e saj. Ka dëshmi për agjentë të duke hapur varre masive dhe mbuluar provat. Bashar Assad vazhdimisht ka mohuar përfshirjen në krime lufte, duke i quajtur ato “komplot të opozitës terroriste.”
Megjithatë, dëshmitë janë të pamohueshme. Një Komision Hetimor i OKB-së ka hartuar një listë të fshehtë me 4,000 “kriminelë lufte,” ku përfshihen figura kyçe të regjimit Assadit.
Përballja me drejtësinë: Një ëndërr e largët
Ndërsa disa liderë rebelë si Ahmed al-Sharaa al-Jolani kanë premtuar drejtësi për viktimat e regjimit, është e paqartë se si kjo drejtësi do të realizohet. Deri më tani, linçimet e disa zyrtarëve të lartë të regjimit janë një tregues i drejtësisë brutale që pritet të ndodhë në Siri.
Në arenën ndërkombëtare, Bashar Assad vazhdon të jetë jashtë rrezikut për shkak të mbrojtjes prej aleatit të tij, Vladimir Putin. Franca ka hapur procese penale kundër tij dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare mund të nisë një hetim, por sjellja e Assad-it përpara drejtësisë mbetet një sfidë pothuajse e pamundur.
Një histori që përsëritet
Si shumë diktatorë të tjerë para tij, Assad ka gjasa ta mbyllë jetën në mërgim, duke gëzuar pasurinë e akumuluar gjatë viteve të regjimit. Figura si Idi Amin, Baby Doc Duvalier dhe Juan Peron janë shembuj të liderëve brutalë që i kanë shpëtuar drejtësisë dhe kanë jetuar në luks deri në fund të jetës. / bota.al