Një deputet është vrarë dhe një tjetër është plagosur nga të shtënat me armë në parlamentin e rajonit separatist Abkhazia të Gjeorgjisë, që mbështetet nga Rusia. Ligjvënësi Vakhtang Golandzia vdiq nga plagët e shkaktuara me armw zjarri dhe një tjetër deputet mbeti i plagosur në krah.
Ministria e brendshme kishte identifikuar një ligjvënës tjetër si të dyshuar për të shtënat, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes. Deri tani nuk dihet motivi i ngjarjes. Abkhazia është një territor në bregun e Detit të Zi që u shkëput nga kontrolli i Gjeorgjisë në një luftë pas rënies së Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 1990, gjatë së cilës qindra mijëra gjeorgjianë etnikë u larguan.
Rusia ka mbështetur prej kohësh Abkhazinë dhe një rajon tjetër të shkëputur gjeorgjian, Osetinë e Jugut, dhe i ka njohur ato si të pavarura pasi fitoi një luftë pesë-ditore kundër Gjeorgjisë në 2008.
Abkhazia u zhyt në krizë muajin e kaluar kur protestuesit sulmuan parlamentin në kundërshtim me një marrëveshje investimi me Rusinë, duke detyruar presidentin e rajonit, të japë dorëheqjen.
Deputetët votuan kundër ratifikimit të marrëveshjes me Rusinë në fillim të këtij muaji. Udhëheqësit e opozitës e kishin kundërshtuar marrëveshjen për shkak të frikës se do t’u hapte rrugën rusëve të pasur për të blerë prona, duke rritur çmimin për vendasit.
Moska, e cila financon shumë buxhetin e Abkhazisë, dëshiron që investitorët rusë të jenë në gjendje të fitojnë të drejta pronësie dhe të kenë të drejtën për të zhvilluar rajonin.