Policia e Kosovës i ka arrestuar dy zyrtarë të Departamentit të Kadastrës në Komunën e Graçanicës nën dyshimin për korrupsion, njoftoi të enjten kryetarja e komunës, Ljiljana Shubariç.
Shubariç nuk dha më shumë hollësi rreth arrestimit të tyre, por theksoi se hetimi dhe arrestimi i zyrtarëve komunalë nuk e vënë në dyshim funksionimin e udhëheqjes lokale të Komunës së Graçanicës apo të Drejtorisë së Kadastrës.
Ajo tha bëhet fjalë për “veprime të ndërmarra individualisht” nga persona të caktuar. Komuna e Graçanicës është një nga gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të lumit Ibër.
“Do të ketë hetime dhe nuk duam të spekulojmë më tej mbi procedurat e ardhshme. Kur të marrim informacione të detajuara, do të njoftoheni”, tha Shubariç gjatë një adresimi para gazetarëve.
Policia e Kosovës nuk ka folur rreth kësaj çështjeje dhe as nuk ka kthyer përgjigje ndaj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me arrestimin e zyrtarëve në Komunën e Graçanicës dhe për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren./REL