Fëmija vdes në QSUT/ 12 vjeçari mbërriti në gjendje të rënduar. QSUT: U diagnostikua me mikardit akut, sëmundje e rrezikshme

AKTUALITET


Një 12-vjeçar nga fshati Poçestë i Maliqit ka humbur jetën në QSUT pasi ka pësuar arrest kardiak.

Fëmija ishte nisur drejt kryeqytetit nga Spitali Rajonal i Korçës për shkak të problemeve shëndetësore.

I mituri ishte shtruar në spitalin e Korçës 10 ditë më parë me simptoma gripi dhe pasi ishte përmirësuar kishte dalë nga spitali, por dy ditë më parë ai ishte shoqëruar përsëri në spital nga familjarët për shkak se gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar.

Pas ekzaminimeve përkatëse, ka rezultuar se 12 vjeçari kishte glicemi të lartë ndërkohë që vijonte të kishte simptoma gripi ndaj mëngjesin e së martës është dërguar drejt Tiranës për t’u trajtuar nga mjekë specialistë.

Familjarët jashtë kamerave pohuan se i mituri është shtruar në repartin e COVID dhe se nuk vuante nga sëmundje të tjera ndërsa ka pësuar arrest kardiak.

“E dërguam me urgjencë në Tiranë, na e shtruan në pavionin e covid. Djali nuk ishte për aty, duhet ta ndiqnin në reanimacion. Djalin nuk e trajtuan siç duhet. Mjekët na thanë se pësoi arrest kardiak. A mundet që nga një virozë të humbasë jetën? Nuk vuante nga ndonjë sëmundje, por nga mjekimet e shumta diabeti ditën e fundit I shkoi 200. Jemi të tronditur.”, tha një i afëm.

Në lidhje me rastin policia është duke kryer veprimet proceduriale dhe marrjen e dëshmive të familjarëve.

Mësohet se këta të fundit nuk kanë pranuar të kryhet ekspertizë mjekoligjore dhe deri tani nuk ka asnjë denoncim për bluzat e bardha./abcnews.al



Skip to toolbar