“Kryeministër a mund të kenë lehtësira qytetarët, të cilët individualisht do të vendosin panele diellore mbi çatitë e tyre, qoftë në pallate apo në banesa?”, ka qenë kjo pyetja që Kryeministri Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet në rubrikën “Sy m’Sy”.
Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Kryeministri Rama thotë se sigurisht që do të ketë lehtësira teksa shton se së shpejti do të bëhet shpallja e paketës së dytë mbështetëse për panelet diellore për familjarët në banesë, për të cilën është i bindur se do të jetë një sukses.
“Po, sigurisht që ka dhe për këtë arsye jemi të parët në rajon për vetëprodhimin e energjisë diellore nga familjarët dhe nga bizneset. Prodhojmë 196 megavat, 4-fish e Serbisë dhe më shumë se 10-fishin e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Së shpejti do të bëhet shpallja e paketës së dytë mbështetëse për panelet diellore për familjarët në banesë dhe do të jetë një sukses sepse siç ndodhi me paketaën e parë, interesi është i madh dhe u shterua i gjithë financimi 100%”, thotë Kryeministri Rama.