“Do ta shohësh!”/ U dënua me 11 vite burg nga GJKKO, “Daku” kërcënon në gjyq Nikollin

AKTUALITET


“Do ta shohësh ti”, kështu iu është drejtuar Leonard Luzi vrasësit me pagesë, Amarildo Nikolli, pasi GJKKO e dënoi me 11 vite burg për porositjen e vrasjes së Inez Hajrullës.

Mësohet se gjatë seancës, që u zhvillua pa praninë e medias, “Daku” është acaruar dhe dhe pasi ka kërcënuar të penduarin e drejtësisë, goditi me grusht xhamin e kafazit.

Trupa gjykuese e kryesuar Bib Ndreca vendosi dënimin:

– Leonard Luzi, i njohur si “Daku”, me 11 vite burg, me gjykim të shkurtuar dënimi i ulet në 7.4 vite.

– I penduari i drejtesisë Amarildo Nikolli me 7.4 vite burg, dënimi i ulet në 2.9 vite

– Muharrem Koroveshi me 10 vite burg, dënimi i ulet nga gjykimi i shkurtuar në 6.8 vite

Atentati do të kryhej në 7 gusht 2023, por u parandalua nga policia pasi vrasësisi me pagesë Amarildo Nikolli u arrestua nga policia dhe rrëfeu ngjarjen.

47-vjeçari Leonard Luzi u arrestua nga autoritetet spanjolle më 18 korrik 2024, ndërkohë që ishte shpallur në kërkim për organizimin e vrasjes së Inez Hajrullës dhe Evis Matodashajt, një krim që u parandalua.

“Daku” është një emër i njohur për policinë, pasi ka lidhje të forta me eksponentë të krimit. Ai është shoku i Amarildo Nikollit, të penduarit të drejtësisë, i cili ndodhet në burg.

Atentati në tentativë ndaj Inez Hajrullas u zbardh nga rrëfimi i të penduarit, i cili tha se ishte pajtuar nga “Daku” për të kryer vrasjen, por nuk mundi ta ekzekutonte shënjestrën, pasi u arrestua nga policia.

Inez Hajrulla është një prej emrave më të njohur të botës së krimit në Vlorë. Ai mori drejtimin e grupit kriminal pas vrasjes në 2018 në Durrës të Edison Arizajt, i njohur si Edison Faqedjeguri.



Skip to toolbar