Investimet për terrenet sportive, si pjesë e Programit “Ekipet Sportive në Shkolla” po rikthejnë masivisht frymën sportive tek të rinjtë, përmes krijimit të infrastrukturave të reja, tërësisht moderne, që ofrojnë për të rinjtë mundësinë e ushtrimit të një numri më të madh disiplinash sportive.
Në shkollën e mesme të bashkuar “Adem Haxhija” në Postribë të Shkodrës, fusha e re që po ndërtohet është terreni sportiv i munguar prej vitesh, që vjen për të rinjtë dhe jo vetëm, si një mundësi për të gjallëruar jetën sportive.
Kryeministri Edi Rama vijoi inspektimet e projekteve në qytetin e Shkodrës me vizitën në këtë shkollë, ku fusha e re është mirëpritur si një domosdoshmëri për potencialet sportive të zonës.
“Sapo kanë mbaruar terrenet sportive, fushë basketbolli, volejbolli edhe kalçeto. Praktikisht kështu merr jetë edhe shkolla – qendër komunitare sepse gjatë pasdites do të vijojnë të jenë të hapura dhe do të organizohemi me Komitetin Olimpik , pra edhe me trajnerët. Në Shkodër po investojmë për tre shkolla, terrene sportive dhe investimet për palestra. Është shkolla “Adem Haxhija”, shkolla “Dëshmorët e Prishtinës’’ dhe “Preng Jakova” dhe ndërkohë jemi duke investuar edhe për rehabilitimin e dy shkollave dhe palestrave të tyre, “Ndre Mjeda’’ dhe “Kolë Idromeno’’ – informoi Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, e cila shtoi se për herë të parë pas kaq vitesh bashkia Shkodër po aplikon për projekte të reja.
“Janë 6 milionë euro të vëna në dispozicion për investimet në Shkodër. Janë 3 miliardë lekë të vëna në dispozicion për gjithë investimet në sistemin arsimor në të gjithë vendin. Ne po punojmë që të hapim dhe kantiere të reja për shkolla për vitin 2025. ” – u shpreh ajo.
Ndërsa drejtuesja e institucionit, njëkohësisht ish nxënëse në këtë shkollë falënderoi në emër të stafit, ndërsa pohoi se shkolla nuk ka patur kurrë një infrastrukturë të tillë.
“S’kemi pasur fushë asnjëherë. Është fat dhe ju falënderoj në emër të stafit, të nxënësve të shkollës që u bë i mundur realizimi i këtyre terreneve sportive, pasi ne kemi potenciale sportive. Është një zonë arsimdashëse dhe sportdashëse dhe ne ju falënderojmë përzemërsisht, edhe Ministrinë e Arsimit, kryetarin e bashkisë që bënë të pamundurën për të realizuar këto terrene.”/abcnews.al