Rijetësimi i kalasë, Rama: Rrit numrin e turistëve dhe vlerën e pronës në Elbasan

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se rijetësimi i kalasë së qytetit të Elbasanit do të jetë një motor i vërtetë zhvillimi për qytetin.

“Sot nis një kapitull i ri për Kalanë e Elbasanit!

Me firmosjen e memorandumit të bashkëpunimit me AADF-në, fillojmë procesin e projektimit për rikualifikimin dhe rijetëzimin e një tjetër zone historike me potencial biznesi e destinacioni turistik.

Ky projekt do të zhvillohet në dy faza: studimi i plotë i zhvillimit të lagjes Kala dhe implementimi i projekteve specifike, që do ta kthejnë këtë zonë në një atraksion edhe më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore, traditës e mikpritjes shqiptare si edhe një magnet për rritjen e numrit të vizitorëve e aktiviteteve social-ekonomike.”- shkruan Blendi Gonxhja në rrjetet sociale.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me AADF (Albanian-American
Development Foundation) për rijetësimin e kalasë së Elbasanit, Rama solli në vëmendje rëndësinë e transformimit në funksion të turizmit.

“Ka një fakt që duhet adresuar dhe përmbysur. Ndërkohë, Berati që e ka nisur procesin e rilindjes dhe transformimit në funksion të turizmit dhe e ka kthyer faktikisht turizmin në një motor të fuqishëm të ekonomisë vendore, ku Fondi ka patjetër kontributin e vetë në partneritete me ne, ka arritur në 800 mijë vizitorë dhe turistë”, tha Rama.

Ndërsa Elbasani, sipas tij, ka sot 20-25 mijë vizitorë.

“Ndërkohë që vizitorët dhe turistët në Kalanë e Beratit ka kohë që kanë kapërcyer numrin e 100 mijë të tillëve, në kalanë e Elbasanit  janë rreth 4 mijë. Këto shifra mund dhe do të përmbysen shumë shpejt me projektin e Kalasë”, tha Rama.

Kalaja e Elbasanit, sipas tij, “ka një histori dhe ka disa përbërës që ka një potencial të jashtëzakonshëm për nga aspekti i pranisë së religjioneve përmes simboleve të tyre brenda në Kala”.



Skip to toolbar