Zbardhet dosja hetimore: Naimi e mbajti nga krahu Liridonën, vrasje për përfitime financiare

KOSOVA


Një nga ngjarjet më të rënda ndodhi më 29 nëntor të vitit 2023 kur Liridona Ademaj u ekzekutua në një fshat të Prishtinës. Pavarësisht se ishte inskenuar si një grabitje, në të vërtetë doli një vrasje e mirë planifikuar.

Porositësi ishte burri i saj, Naim Murseli, ndërsa plumbat u shkrepën nga Granit Plava, ndërsa ndërmjetës mes këtyre të dyve ishte Kushtrim Kokalla, kushëriri i Naimit.

Në bazë të dosjes dhe dëshmive të Kokallës, vrasja e Liridona Ademajt dyshohet se ishte planifikuar që nga qershori i vitit 2022 kur ishte paguar policia e sigurimit jetësor për Liridonën që kishte vlerën e 3 milionë krunave suedeze, të cilat Naimi do t’i përfitonte pas vdekjes së ish-gruas.

Më datë 29 nëntor 2023 gjatë ditës ishte blerë edhe arma në vlerë prej 280 eurosh nga Tom Dodaj me të cilin është vrarë Liridona, ndërsa akti ishte kryer në mbrëmje pas orës 20:00. Në rrugën ku është kryer vrasja, Naimi e kishte sinjalizuar përmes dritave Granitin se ishin ata.

Granitit i ishte premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh në mënyrë që të kryente vrasjen. Detaji më i rëndë në dosje është e gjetura se Naim Murseli e kishte mbajtur për krahu Liridonën në mënyrë që të mos largohej kur ishte afruar Graniti për të shkrepur armën.

Graniti ishte i maskuar ndërsa e gjithë ngjarja ka ndodhur në prani të fëmijëve të moshës 4 dhe 6 vjeç.

Në bazë të dosjes, Murseli ka deklaruar se kanë pasur probleme martesore, gjë që është konfirmuar edhe nga prokurorja e rastit në aktakuzë.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bashkëpunuar edhe me shtetin suedez për të zbardhur motivin e ngjarjes që tha se ishte edhe arsyeja kryesore e vonesave në ngritjen e aktakuzës.

Për vrasjen e Liridona Ademajt tashmë akuzohen Naim Murseli, Kushtrim Kokalla, Granit Plava si dhe Tom Dodaj, me këtë të fundit që nuk është implikaur drejtpërdrejt në vrasje por vetëm për shitblerje të armëve.



Skip to toolbar