Ka flamuj, të grisur e të ndotur, por që valviten me krenari dhe më në fund me shpresë. Të shtënat janë «në ajër, për të festuar, jo për të vrarë». Disa përkëdhelin idenë normale të një kafeje dhe një cigareje, një ëndërr e pamundur në Rripin e Gazës, ku prej më shumë se një viti mungon gjithçka, madje edhe uji i pijshëm.
Ka nga ata që kanë paketuar ato pak sende të ruajtura për muaj të tërë nën një çadër gjithnjë e më shumë të arnuar, për t’u kthyer sa më shpejt. «Dua të shkoj në qytetin e Gazës, të shoh çfarë ka mbetur nga shtëpia ime, nga familja ime. Kush është ende gjallë, do të kthehet aty», thotë dikush. Nuk është vetëm.
Pak minuta pas armëpushimit, rrjetet sociale mbushen me pamje të një turme që ecën mes rrënojave, marshon mes shtyllave të thyera, ndërtesave të shkatërruara që kush e di sa trupa fshehin, lagjeve të tëra të bëra pluhur e hi dhe të shndërruara në qefinë. Të gjithë përpiqen të arrijnë në shtëpinë që vetëm mund ta kishin imagjinuar, duke pyetur: «A është ende në këmbë?».
Pas pesëmbëdhjetë muajsh sulmesh, humbjesh, frike dhe urie, është dita e shpresës në Gaza. Të qëndrosh dhe të rindërtosh, të largohesh dhe të lësh gjithçka pas, kjo është zgjedhja.
Hassan Ashour humbi shtëpinë gjatë luftës dhe tani jeton në Deir el Balah me gruan dhe dy fëmijët. Për të, në Gaza nuk ka më asgjë. «Kam nevojë për të paktën një vit jashtë Rripit të Gazës», thotë ai. Për të dhe për të tjerë, shpresa quhet Rafah, pika kufitare që deri në majin e vitit të kaluar ishte rruga e fundit e sigurt për të plagosurit, të sëmurët rëndë apo për ata të paktë që mund të paguanin shërbimet e shtrenjta të rrjetit Hala.
Që nga dje, portat e zeza me dekorime të arta, të blinduara që nga maji i kaluar kur Izraeli mori kontrollin e zonës, janë hapur sërish. Kjo nuk do të thotë që kushdo mund të largohet nga Gaza, pasi asnjë nga vendet fqinje, duke filluar nga Egjipti, nuk e dëshiron një eksod. Por fakti që kjo portë është bërë sërish funksionale mund të nënkuptojë fundin e urisë. Vetëm gjatë ditës së djeshme, aty kaluan 310 kamionë me ndihma dhe 20 me karburant. «Janë pothuaj 4 mijë gati», njofton UNRWA.
Ahmed kalon kufirin e Rafahut me kamionin bosh, me borinë që bie dhe një krah jashtë që tregon simbolin e fitores. Sapo ka shkarkuar qindra thasë me miell, që – nëse inspektimet e lejojnë – do të hyjnë në Rafah. Dhe kjo tashmë duket si një mrekulli, sepse nuk ka ndodhur prej muajsh.
Në Rafah, makineria e përgatitjeve u ndal, në Sinain e militarizuar kontrollet filluan të zgjasnin me orë të tëra. E megjithatë gjithçka dukej gati. Që nga agimi i së dielës, ushtarët e IDF kishin filluar të tërhiqeshin nga qendra e Rafahut, deri dy kilometra drejt korridorit Filadelfi, përgjatë kufirit me Egjiptin. Për herë të parë pas 261 ditësh, 50 ambulanca kishin hyrë në Gaza nga Rafahu. Pastaj gjithçka u bllokua dhe në Rrip rifilluan sulmet, me tragjedinë e tyre. Në orën 11:15 erdhi kthesa, kur të gjithë ishin të sigurt për dështimin e radhës. Dhe ja portat që hapen, kamionët që ndezin motorët. «E kam marrë këtë ngarkesë patatesh njëzet ditë më parë – thotë Mohamed. Kisha frikë se do të ndodhte si në maj, kur na bënë të prisnim aq gjatë sa na u desh t’i hidhnim të gjitha».
Muajt e kaluar kjo ndodhte rregullisht, ndërsa disa kilometra larg njerëzit vdisnin nga uria. Në Gaza sot nevojitet gjithçka. Pjesa më e madhe e popullsisë është e kequshqyer, më pak se gjysma e 36 spitaleve të Gazës janë funksionale. Deri në armëpushim – llogarit Save the Children – 15 fëmijë në ditë kanë pësuar dëmtime të rënda ose të përhershme.
Edhe për ta Rafahu mund të jetë një shpresë. Sipas marrëveshjes, nga porta egjiptiane duhet të dalin gratë dhe fëmijët e plagosur, për t’u dërguar fillimisht në qendrën e triazhit të ngritur afër pikës kufitare dhe më pas të shpërndarë në spitalet e Sinait. Por deri në pasditen e vonë dje, askush nuk ishte transferuar. As civilë, as «personeli ushtarak i plagosur».
Sipas burimeve, secili prej tyre duhet të shoqërohej nga tre anëtarë të familjes dhe sa më shpejt të drejtohej në spitalet e Dohës. Kjo është një nga pikat më të paqarta të tekstit përfundimtar të marrëveshjes, ndoshta më e ndërlikuara për Izraelin. «Një pasaportë për Hamasin» shprehen me hidhërim disa, mina e radhës që mund të shkatërrojë armëpushimin e brishtë. / bota.al