Arratisja e Artan Grubit, ministri maqedonas: Po mblidhen prova shtesë nëse ishte e organizuar

AKTUALITET


“Aktualisht po mblidhen më shumë prova, nëse polici i cili ishte në detyrë kur ish-zv. kryeministri Artan Grubi u largua nga vendi ka bërë një gabim të pakujdesshëm apo nëse është organizuar në kuadër të një grupi të caktuar që ka organizuar arratisjen”, thotë Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski.

“Për këtë është hapur hetim dhe po vepron Prokuroria Themelore Publike dhe në kuadër të asaj që kemi si prova të pakundërshtueshme ndaj personit kemi bërë kallëzim penal dhe është pezulluar nga puna. Aktualisht po hetohet nëse ka pasur komunikim dhe çfarë komunikimi ka qenë ai”, theksoi Toshkovski.

Ai po ashtu theksoi se për të parandaluar pikërisht këtë skenar janë bërë përgatitje më serioze dhe janë angazhuar të gjitha resurset.

Sipas tij, në kufi ka pasur shërbime të tjera shtesë që është dashur të reagojnë nëse ka arratisje, por, siç ka theksuar ai, nuk kanë reaguar pasi ka qenë një operacion sekret.

Toshkovski theksoi se fakti që Artan Grubi nuk shpreh iniciativë për t’u kthyer në vend është tregues i mjaftueshëm nëse ai është fajtor apo jo.

Artan Grubi vijon të jetë në arrati dhe u shpall në kërkim pasi sipas prokurorisë, ka urdhëruar në mënyrë të jashtëligjshme dhënien e licencave për disa kompani të lojërave të fatit dhe kazino dhe është përfshirë së bashku me ish-drejtorin e Lotarisë, Përparim Bajrami në prokurimin e manipuluar të paisjeve për Lotarinë. Dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit është mbi 8 milonë euro.

Artan Grubi, u shpall non grata nga SHBA, më 9 dhjetor 2024. Në njoftimin e DASH thuhej se Grubi është përfshirë në korrupsion të madh duke pranuar ryshfet për t’i minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkovit, ish-drejtorit të shërbimit sekret.



Skip to toolbar