Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, bëri të ditur të mërkurën se rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, u vra nga dy persona në shkallët e ndërtesës ku banon teksa po kthehej nga puna, dhe se autorët e dyshuar ndodhen në arrati.
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Çerkini tha se autoritetet janë duke punuar për të zbardhur motivet dhe arsyet e vrasjes.
“Nga të dhënat që kemi, dy personat kanë ikur në këmbë nga vendi i ngjarjes. Nuk kemi më shumë informata. Nuk kemi ndonjë tregues që rreshteri Lika ka pasur ndonjë problem, qoftë me procedural që i ka zhvilluar qoftë si zyrtar policor, apo ndonjë problem personal që do të na zbardhte motivin e vrasjes së tij”, tha Çerkini.
Ai theksoi se autoritetet ende nuk kanë arritur t’i identifikojnë dy të dyshuarit, për shkak të pamjeve jo shumë të qarta të kamerave të sigurisë dhe errësirës. “Shpresojmë që gjatë mbledhjes së provave dhe shikimit të kamerave të përgjithshme të qytetit të Kaçanikut të identifikohen ata persona dhe sapo të ndodhë kjo do t’i marrim të gjitha hapat për t’i arrestuar. [Të dyshuarit] nuk kanë përdorur maska, por kapela, jo për mbulimin e fytyrës. Rasti ka ndodhur pas orës 23:00 dhe në errësirë, dhe kjo e bën të vështirë identifikimin e tyre”, tha ai. Çerkini tregoi se, sipas hetimeve fillestare, në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja të llojit 9.9 mm, por jo edhe arma me të cilët të dyshuarit besohet se e kanë kryer vrasjen.