Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka hedhur idenë për ndërtimin e një linje hekurudhore mes Shqipërisë dhe Kosovës, një hekurudhë që lidh Durrësin me Prishtinën. Këtë deklaratë Haradinaj e bëri të martën në nisje të punimeve për rehabilitimin e fazës së parë të linjës së 10-të hekurudhore Prishtinë-Hani i Elezit.
Kryeminsitri Haradinaj, e cilësoi këtë si një projekt me shumë rëndësi, por kërkoi ndërtimin e linjave të veçanta hekurudhore që e lidhin Kosovën me Shqipërinë dhe Malin e Zi.
“Kosova mund të mburret për infrastrukturën rrugore, por ngecim në infrastrukturën hekurudhore. Ka qenë e domosdoshëm rehabilitimi i kësaj linje. Një aspekt që na sfidon është infrastruktura energjetike dhe infrastruktura ujore. Kosovës do t’i duhej të ketë rezerva të ujit, siç ishte rasti i Gjilanit. Sot po niset rikthimi i linjës hekurudhore për në Han të Elezit. Ne kemi linje hekurudhore me Serbinë dhe Maqedoninë, por jo me Shqipërinë dhe Malin e Zi. Është me interes që të ketë një linjë Prishtinë-Durrës. Ne na mungon po ashtu dhe infrastruktura e gazit natyror”, tha kryeministri Haradinaj, i cili nuk dha detaje të mëtejshme nëse dy qeveritë tona kanë ndonjë projekt gati dhe kur do të nisë puna për ta vënë në jetë këtë ide shumë interesante.