Mashtronin vajzat me fejesë për trafikim, shkatërrohet grupi

Më të fundit


Policia e Korçës ka shkatërruar një grup kriminal, që mashtronte vajza të mitura se do fejoheshin me to dhe më pas i trafikonin në Greqi për ushtrim prostitucioni. 7 persona kanë rënë në prangat e policisë së Korçës pas zbulimit të këtij grupi kriminal, që tentonte të trafikonte vajza të mitura në Greqi, ndër të cilët ishte edhe një i shumëkërkuar, i dënuar me burgim të përjetshëm. Ndërkohë, një i tetë është shpallur në kërkim nga policia.

Operacioni  për shkatërrimin e këtij grupi është në finalizim e sipër nga Prokuroria e Korçës dhe Policia e këtij qarku. Grupi kriminal është zbuluar rastësisht teksa hetoheshin për trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa pas vëzhgimeve në terren nga ana e Prokurorisë është zbuluar se grupi në fjalë trafikonte vajza të mitura drejt Greqisë. Skema që përdornin grupi kriminal ishte çnjerëzore. Pasi mashtronin familjet e vajzave në fjalë nga Pogradeci dhe Korça me pretendimin se po fejoheshin më pas i trafikonin drejt shtetit fqinj.

Nga Prokuroria e Korçës u tha fillimisht se janë arrestuar Roland Luli, 33 vjeç, (një i dënuar më par nga drejtësia greke me burgim të përjetshëm dhe i  shpallur në kërkim), Mirel Pasho, Rezarta Memetllari dhe Ermal Basho. Më vonë, policia njoftoi se numri i të arrestuarve ka shkuar në 7 veta. Veç katër të parëve, policia tha se janë arrestuar E.K, 26 vjeç, O.M, 39 vjeç, dhe Ç.F, 36 vjeç, si dhe u bë shpallja në kërkim e L.P, 28 vjeç. Gjatë operacionit të koduar “Zereci”, fshati nga ku u tentua të trafikohet vajza e mitur, policia tha se sekuestroi armë zjarri dhe të ftohta, municione luftarake, granata dore, vlera monetare (lekë, dollarë euro), bimë narkotike.



Skip to toolbar